Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli lidhur me menaxhimin e krizës energjetike në Kosovë.
Ai tha se Rizvanolli nuk po di ta kryejë punën e ministres, por vetëm po provon ta bëjë një gjë të tillë.
Njësojë, sipas Krasniqit po veprojnë edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë.
“Realisht ti edhe detyrën e ministres nuk po dinë qysh me ba veç je ka provon, njëjtë edhe si shumica e kësaj Qeverie. Nuk e keni idenë se çka është detyra dhe përgjegjësia jote. Nuk je ka e kupton as thelbin e problemit por je ka e provon. Derisa je duke provuar me e krye punën tënde, njerëzit janë në të ftohët dhe në terr”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi ka kërkuar nga ministrja që të koncentrohen në punë, teksa tha se janë të papërgjegjshëm dhe të padijshëm.
“Leni këto sene po shikoni dhe koncentrohuni në punë. Mua më vjen keq me papërgjegjësinë dhe të padijenisë që keni”, tha Krasniqi.
Kjo replikë e Krasniqit erdhi pasi ministrja Rizvanolli i konsideroi kontradiktore kritikat e opozitës lidhur me situatën energjetike në Kosovë.
“Kritikat e juaja janë shumë kontradiktore. Nuk po di se në cilën me u përgjigj edhe qysh. Njëri thotë efektet e vendimit që i keni marrë nuk po shihen në terren e tjetri thotë se po i legjitimoni ato që veç i keni marrë. Njëri thotë ZRRE po e falimenton KEDS-in, tjetri thotë pse po i subvencionin, tjetri thotë shumë mirë që po i subvenciononi është dashur me i subvencionu moti. Nuk po e di se ka me fillu por po e provojë”, ka thënë ajo.