Site icon PrishtinaPress

Rizvanolli: Nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimeve, pas uljes së temperaturave gjatë dimrit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike pas rënies së temperaturave.

Rizvanolli këtë deklaratë e ka bërë në Komisionin parlamentar për Ekonomi. Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm.

Megjithatë, Rizvanolli tha se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimeve sërish me ftohjen e motit gjatë dimrit. Për këtë, Rizvanolli ka arsyetuar propozim-vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike edhe për 30 ditë, për çka kërkoi nga Komisioni miratimin e këtij propozimi.

Me këtë propozim ndalohet eksporti i peletit jashtë vendit. Pa votat e opozitës, komisioni miratoi vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji elektrike. Me propozimin e VV-së, komisioni vendosi që ky vendim të shqyrtohet në seancën e 8 nëntorit.

Komisioni parlamentar për Ekonomi, ka miratuar të martën Projektligjin me amendamente për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ky projektligj për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore, është miratuar në parim javën që shkoi në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në një seancë të re më 8 nëntor të shqyrtohet në lexim të dytë.

Exit mobile version