Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka dy albume të nxjerra në treg përgjatë gjithë karrierës.
Albumi i parë “Ora” u publikua në vitin 2012, teksa albumi i dytë i quajtur “Phoenix” erdhi gjashtë vjet më vonë, për arsye se këngëtarja u përball me shkëputje të kontratës dhe probleme të shumta ligjore me ish-labelin.
Sido që të jetë, Rita nuk i harron kurrë datat e shënuara e një ndër to është edhe ajo e publikimit të albumit të saj të parë në karrierë.
Në gusht të vitit 2012, Rita publikoi albumin “Ora”, domethënia e të cilit është “kohë” në shqip dhe vet Rita ishte shprehur se kishte vendosur ta quante kështu, ngase ishte kurorëzim i një pune të madhe e cila i kishte marrë shumë kohë.
Ajo së fundmi, ka publikuar në rrjetin social Instagram disa pjesë nga promovimi i albumit tetë vite më parë, duke kremtuar kështu përvjetorin e këtij projekti shumë të suksesshëm.
“Urime përvjetorin për albumin që ndryshoi jetën time. Faleminderit për të gjithë ju që keni qenë pjesë e këtij udhëtimi me mua, nuk është ende fundi”, ka shkruar Rita Ora në Instagram.
Kujtojmë që pjesë e albumit “Ora” kanë qenë këngët e njohura: “Hot Right Now”, “Shine Ya Light”, “RIP”, “Radioactive” etj.