Pas afër 14 vjet zvarritje të procesit gjyqësor, Rinor Deshishku, i akuzuar për plagosjen e tre adoleshentëve në një lokal të Prishtinës, në vitin 2009, është dënuar të hënën me 4 vjet burgim për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi iu ricilësua vepra penale nga “Lëndimi i rëndë trupor”.
Shpallja e këtij aktgjykim, është bërë nga gjykatësi Adnan Isufi, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për të Mitur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka shpallur Aktgjykimin në rastin e të miturit – tani madhor R. D. Gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale ashtu që i mituri – tani madhor R. D është gjetur penalisht përgjegjës për veprën penale-Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm dhe ndaj tij ka shqiptuar dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej 4 (katër) vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas aktgjykimit, i mituri- tani madhor Rinor Deshishku, është liruar nga shpenzimet e procedurës penale, ndërsa palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Deshishku akuzohej se më 26 gusht 2009 në mbrëmje, në kafenenë “De Lux Novell”, për shkak të mosmarrëveshjes që kishte pasur me Bajram Musën, Nuhi Sopin dhe Florim Fazliun, pasi ka hyrë në lokal bashkë më shokët Fitim Morinën dhe Faton Hajdarin, posa kanë vërejtur grupin e lartcekur, ka filluar një zënkë, ku i mituri Deshishku kishte nxjerrë revolen nga brezi dhe ka shtënë disa herëm me ç’rast ishin plagosur rëndë mysafirët që ishin në lokal, Argent Breznica, Brilant Krasniqi dhe Besart Hoxha.
Në lidhje me vendimin për dënim, Tahir Rrecaj, avokat i Deshishkut, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, tha se ndaj këtij vendimi do të ankohen në Gjykatën e Apelit, pasi sipas tij ky vendim është skandaloz.
“Po patjetër, ai është skandaloz vendimi, nuk ka prova”, është shprehur ai.
Ndërsa, të dëmtuarit Brilant Krasniqi, Argent Breznica dhe Besart Hoxha, për “Betimi për Drejtësi” kanë thënë se pas këtij vendimi, kërkojnë që të mbahen përgjegjës të gjithë ata prokurorë dhe gjykatës që e kanë zvarritur këtë lëndë.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, më 25 mars 2023, kishte transmetuar hulumtimin “Zvarritjet e drejtësisë për zbardhjen e krimit mbi adoleshentët”, ku tregohej se si për afër 14 vite nuk ishte zgjidhur ky rast nga sistemi i drejtësisë.
Nga ngjarja e 26 gushtit 2009, Argent Breznica, Brilant Krasniqi dhe Besart Hoxha do ishin viktima të një përleshjeje me armë, në një lokal në qendër të Prishtinës. Të tre si adoleshentë të pafajshëm, do të plagoseshin rëndë, duke pësuar prej plumbave që do i merrnin nga gjuajtjet e dy grupeve që po tentonin me armë t’i qëronin hesapet mes vete.
Brilant Krasniqi, atë kohë 16-vjeçar ishte plagosur rëndë në këmbë dhe krahë, duke përjetuar vdekje klinike, pasi plumbi ia kishte këputur arteriet. Pas dy operacioneve disa orëshe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai do të dërgohej për shërim jashtë vendit. Deri më tash, ai iu ka nënshtruar mbi 15 operacioneve, ndërsa këmbën e majtë sot e asaj dite e ka të paralizuar.
Argent Breznica, aso kohe, 17-vjeçar, do goditej nga plumbi afër zemrës, ku do i nënshtrohej dy operacioneve më rrezikshmëri të lartë për jetë. Për disa muaj, ai do qëndronte në Spital për trajtim.
Bashkë më Argentin dhe Brilantin do plagosej edhe i mituri Besart Hoxha, i cili do merrte dy plumba në të dyja këmbët.
Sipas të dëmtuarve, përleshja kishte ndodhur mes grupit të Bajram Musës, Florim Fazliut, i njohur me nofkën “Xhapella” dhe Nuhi Sopa, i njohur me nofkën “Sapuni”, të tre këta kishin qenë se bashku në lokal, kur ishin bashkëngjitur edhe grupi tjetër, Rinor Deshishku, Faton Hajdari, Fadil Feta, si dhe i pranishëm kishte qenë edhe Fitim Morina.
Tre të plagosurit, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ishin shprehur se plumbat i kanë marrë nga ana e majtë, çka sipas tyre dëshmonte se ata ishin plagosur nga Rinor Deshishku dhe grupi i tij.
Ky rast, është zvarritur nga sistemi i drejtësisë për afër 14 vjet. Më 24 dhjetor 2009, prokurorja Laura Pula kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Bajram Musa dhe Fitim Morina, ndërsa propozim për shqiptimin e dënimit e kishte ngritur ndaj të miturve Nuhi Sopa dhe Florim Fazliu.
Pasi konsideroheshin të arratisur, prokurorja Pula, në aktakuzë nuk kishte përfshirë edhe Rinor Deshishkun e Faton Hajdarin, të cilët sipas të dëmtuarve ishin po ata që kishin shtënë me armë.
8 muaj pas ngjarjes dhe 6 muaj pas ushtrimit të aktakuzës, prokurorja Laura Pula kishte bërë propozim për lëshimin e letër-rreshtimit ndaj Faton Hajdarit dhe Rinor Deshishkut. Kjo kërkesë ishte bërë më 22 qershor 2010, në të njëjtën ditë kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën janë lexuar dëshmitë e të dëmtuarve.
Në arsyetimin e këtij fletë-rreshtimi, thuhej se prej kohës se kryerjes se veprës penale të dyshuarit nuk janë paraqitur në Polici dhe se kanë informacion se ata gjenden në Prishtinë.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, pas kësaj kërkese kishte urdhëruar letërreshtimin dhe autorizohej Policia e Kosovës, që të dyshuarit të kapen dhe arrestohen në çdo kohë.
Neglizhimi i Faton Hajdarit e Rinor Deshishkut, sipas të dëmtuarve ishte bërë më qëllim nga ana e prokurores Laura Pula. Madje, sipas tyre, edhe në kohën kur ishin intervistuar nga ana e prokurores Pula, ata ishin trajtuar në mënyre skandaloze. Sipas tyre, gjatë gjithë kohës atyre u janë bërë pyetje sugjestive për të mbrojtur Rinor Deshishkun, pasi ky i fundit vinte nga një familje e fuqishme.
Rinor Deshishku, më 28 qershor 2010, pesë ditë pasi ishte lëshuar fletrreshtimi për të, si ishte paraqitur në Polici ku ishte intervistuar. Ai ishte shprehur se nuk e dinte që ka pasur urdhërarrest për të, pasi asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë ftesë për t’u paraqitur në Polici.
Për paraqitjen e Deshishkut në Polici, ishte njoftuar prokurorja e rastit Laura Pula, e cila po ashtu kishte njoftuar Gjykatën për këtë procedurë. Ndaj Rinor Deshishkut, nuk ishte caktuar asnjë masë e sigurisë, ndonëse asokohe për afër një vit, në paraburgim gjendeshin Bajram Musa, të miturit Nuhi Sopa dhe Florim Fazliu.
Në lidhje me akuzat e të dëmtuarve për mosveprim të prokurores ndaj Rinor Deshishkut, “Betimi për Drejtësi”, kishte kërkuar përgjigje nga prokurorja Laura Pula, por ajo ishte shprehur se nuk i kujtohet rasti.
Ky rast, më pas kishte kaluar tek prokurori Blerim Isufaj, i cili më 16 shtator 2010 kishte bërë propozim për veçim të procedurës ndaj Rinor Deshishkut, me arsyetimin se përveç deklaratës nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim tjetër ndaj tij dhe se përmes veçimit të procedurës ai do mund të vepronte.
Pas vendimit të procedurës penale, më 23 nëntor 2010, prokurori Isufaj, i ishte drejtuar me një njoftim Kryeprokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, atë kohë Aleksandër Lumezit, duke thënë se ka shkuar në shkrimore për të kërkuar lëndën më qëllim që të fillojë procedurën përgatitore ndaj Rinor Deshishkut, por që lënda rezulton e humbur.
Dy muaj pas intervistimit, më 6 qershor 2011, dhe afër dy vite pasi kishte ndodhur rastit, prokurori Isufaj kishte propozuar dënim me burgim ndaj të miturit Deshishku, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Në këtë propozim, kërkohej që gjykata mos t’ia falte besimin pasi ai “ishte i orientuar në ikjen e përgjegjësisë penale”.
Sipas të dëmtuarve, pas ishte përmendur Rinor Deshishku, më nuk janë mbajtur seanca. Në disa raste kanë pasur ftesa, por seancat janë shtyrë për arsye të ndryshme.
Ky rast kishte kaluar në duart e shumë gjykatësve, teksa se fundi lënda i kishte kaluar gjykatësit Adnan Isufi. Ky rast do zvarritej aq shumë, saqë shumica e veprave ndaj të akuzuarve ishin parashkruar.
Në vitin 2019, gjyqtari Lutfi Shala, me një vendim jashtë seancës, për shkak të parashkrimit kishte pushuar procedurën penale për një vepër penale ndaj të akuzuarve Bajram Musa dhe Fitim Morina, si dhe ndaj të miturve Florim Fazliu dhe Nuhi Sopa.
Gjykimi do vazhdonte në departamentin për të mitur ndaj Nuhi Sopës për armëmbajtje pa leje, kurse ndaj Rinor Deshishkut për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.
Në tetor 2019, lënda do kalonte në Departament për të Mitur, tek gjykatësja Elife Uka. Kjo gjykatëse lëndën do ta do mbante për dy vjet, ndërsa, më 6 korrik 2021, do ta caktonte seancën e parë.
Dy muaj më pas, më 14 shtator, ajo do kërkonte përjashtimin nga kjo lëndë, për shkak të lidhjeve familjare me Rinor Deshishkun.
Gjykatësja Uka, përjashtimin nga kjo lëndë e kishte kërkuar 8 muaj pasi kishte pranuar lëndën, me arsyetimin se familja e saj me familjen e të miturit Deshishku kanë raporte fqinjësore dhe miqësore për 60 vite.
Mirëpo, ish kryetarja e Gjykatës, Afërdita Bytyçi kishte refuzuar këtë kërkesë më arsyetimin se “Gjyqtarët ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, bazuar ne Kushtetutë, ligj…”. ndërsa sa i përket lidhjes miqësore me të pandehurin, Bytyçi kishte arsyetuar se ky fakt “nuk përbën shkak e as bazë ligjore për përjashtimin e gjyqtarit nga një rast konkret, dhe as rrethanë që e vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit ose që duket e papërshtatshme me rastin e procedimit dhe vendosjes në këtë çështje penale”.
Pas refuzimit të kësaj kërkese, më 13 korrik 2020, gjykatëses Elife Uka, u janë dashur afër 1 vjet për ta caktuar seancën e parë për këtë rast. Moscaktimin e asnjë seance gjyqësore për afër dy vjet, gjykatësja Eife Uka e kishte arsyetuar me ngarkesën e madhe me lëndë.
Por të dëmtuarit, pretendonin se gjykatësja Uka ishte caktuar me qëllim që lënda të zvarritjes.
Gjykatësja Uka pas kërkesës së dytë, ishte përjashtuar nga ky rast me vendim të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, duke ia kaluar lëndën gjykatëses Lumnije Krasniqi më 6 tetor 2021. Por, edhe gjykatësja Krasniqi më 11 janar 2022 kishte kërkuar përjashtimin nga kjo lëndë pasi kupton se është në lidhje familjare me të pandehurin Deshishku. Përkatësisht ka afërsi me hallën e tij, pasi kanë qenë për dy vite në shkollë se bashku.
Për gjitha pretendimet për ndikim në këtë rast, “Betimi për Drejtësi” përmes telefonit kishte kontaktuar edhe me Rinor Deshishkun. Ai kishte refuzuar të intervistohet, duke kërcënuar që mos të merremi këtë rast.
“Kush iu dha të drejtën t’i me m’thirrë?”, ishte shprehur fillimisht ai.
“A je budallicë ti a çka, kush ta dha të drejtën t’i me m’thirrë?. Jo unë në momentin e parë thash mos u merr me këtë punë”, kishte vazhduar Deshishku, teksa ne fund kishte thënë që mos ta marrim personale, që ai të merret personalisht me gazetaren.
“Jo jo, mos e shndërroni personale që me marrë unë personale”, kishte kërcënuar Deshishku.
Zvarritjen e këtij rasti, e tregon me së miri fakti se të plagosurit e këtij rasti janë rritur, kanë krijuar familje ndërsa vazhdonin të paraqiteshin si të mitur para gjykatës.
“Po unë tash jam i martun, kam fëmijët e mi, ende shkoj në Departament për të Mitur, kjo është rast skandaloz që ka mujt me ndodhë në vendin tonë”, ishte shprehur Brilant Krasniqi.
“Mendoj që prokurorja dhe gjykata nuk e kanë kry punën e vet, e këtë e dëshmon fakti i vonesës së landës 13 vjet. 13 vjet kanë kalu tu kërku drejtësi, që unë atëherë i kam pas 16 e sot i kam 30 vjet. D.m.th. bohen 14 vjet e drejtësia hala flenë”, ishte shprehur edhe i dëmtuar Besart Hoxha.
“Edhe sot tash n’moshën 31 vjeçare unë me lyp drejtësi, tash qa ka ndodh para 14 vjete, a po kupton. Na hala gjykohemi si t’mitur, i kom 31 vjet kom rast në gjykatë si i mitur”, kishte thënë Argent Breznica, i dëmtuar në këtë rast.
Pavarësisht mbi një dekade zvarritjeje, të dëmtuarit kishin deklaruar për “Betimi për Drejtësi se presin drejtësi në gjykimin që po zhvillohej në gjykatë, por përtej kësaj edhe llogari për të gjithë prokurorët dhe gjykatësit që e kanë zvarritur sipas tyre qëllimisht këtë lëndë.