Që nga marsi, asnjë kandidat që kishte aplikuar për marrjen e patentshoferit nuk ka mundur të hynte në provim teorik dhe praktik, për shkak të përhapjes së koronavirusit në Kosovë.
Mirëpo, që nga e hëna ata do të kenë mundësi që të përfundojnë procesin që kishin nisur më parë.
Kjo pasi që, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka lejuar rifillimin e punëve të Njësisë për patentshofer me kandidatë duke filluar nga 20 korriku.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnlinen, këshilltari politik, Krenar Xhaferi.
Por, kjo do të jetë konform lehtësimit të masave dhe zbatimit strikt të rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së.
Në vendimin e marrë nga Ministria e Infrastrukturës thuhet se NJPSH-të duhet të zbatojnë masat anti Covid-19 dhe udhëzimet e përgjithshme të IKSHPK-së dhe MSH-së ( Manuali), të gjitha njësitë duhet të bëjnë dezinfektimin e hapësirave të tyre, pranimi i aplikacioneve do të bëhet në respektim të distancës së mjaftueshme dhe masave mbrojtëse, kandidatët për t’iu nënshtruar provimit teorik e praktik duhet të jenë të pajisur me maska e dorëza, ata duhet të mbajnë distancën gjatë pritjes së hyrjes në provim dhe marrjes së rezultatit, numri i kandidatëve në salla duhet të jetë në harmoni me zbatimin e rekomandimeve të IKSHPK-së për distancë fizike, në hyrje të objekteve dhe sallave të vendosen mbishkrimet për respektimin e masave.
E komunikimi i rezultatit të provimit, sipas vendimit, duhet të bëhet jashtë sallës.