Site icon PrishtinaPress

Rikthehet në prodhim Blloku A3 i KEK-ut, Blloku A4 kthehet në fillim të tetorit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka njoftuar se tashmë është rikthyer në prodhim Blloku A3 i Termocentralit Kosova A.

Rizvanolli tha se Blloku A4 pritet të rikthehet në operim në fillim të tetorit, derisa, sipas saj, po bëhet përpjekje për kthim në funksion edhe më herët.

“U befasuam për së miri sot në mëngjes kur dëgjuam se është rikthyer në funksion Blloku A3. Kjo ka ndodhur falë punës së pa ndalur edhe gjatë natës të udhëheqësve të njësive. Çdo megavat rrymë që prodhojmë sot është shumë i çmueshëm. Kjo është puna më e vlefshme që është bërë sot në Kosovë për furnizim sa më të mirë me energji. Njesia A4 pritet të rikthehet në fillim të tetorit, por punëtorët janë duke bërë çmos që të rikthehet edhe më herët ashtu siç ka ndodhur edhe me Bllokuan A3”, deklaroi Rizvanolli.

Ministrja megjithatë ka porositur qytetarët të kursejnë sa më shumë që është e mundur energjinë në mënyrë që të ketë furnizim të vazhdueshëm.

“Në si institucione duhet të jemi shembull i kursimit të energjisë duke përdorur drita led që kursejnë energji”.

Qeveria ka ndërmarrë edhe disa hapa të tjerë sipas Rizvanollit, në lidhje me ndalimin e eksportimit të disa produkteve me bazë druri e që do të bëhen publikë shumë shpejt.

“Ndalimi i eksportit të peletit dhe produkteve me bazë druri. Kemi parë se çmimet janë rritur në mënyrë të pa arsyetueshme pasi nuk janë rritur kostot e prodhimit. Në anën tjetër kemi mungesë të peletit në treg në krahasim me vitin e kaluar. Si hap të parë kemi vendosur ndalimin e eksportit të peletit dhe produkteve tjera me bazë druri”.

Rizvanolli ka paralajmëruar se në javët në vijim do të merren masat tjera për të stimuluar qytetarët që të gjejnë mënyra tjera të ngrohjes, e jo me energji elektrike./Prishtinapress/

https://fb.watch/fFFQyTRLpp/
Exit mobile version