1.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

“RIKARD”, DOKUMENTARI SI VEPËR E ARTISTIT PËR ARTISTIN

Qasje refleksionuese pas premierës së dokumentarit të Mevlan Shanaj për artistin sharmant Rikard Ljarja

Nga Aleksandër Çipa

Dokumentari “Rikardi”  i regjisorit Mevlan Shanaj është një vepër e artistit  Shanaj, për artistin Ljarja, të cilët, në jetë dhanë provën e gjatë të të qenit edhe mik për mikun.

“Rikard” ofron dhe plotëson një mundësi për shumëkënd, për njohjen me jetën, veprën, personalitetin dhe vlerën e lartë njerëzore të Rikard Ljarjes.  Më i vyer bëhet ky dokumentar, për të sotmit dhe sidomos të ardhmit kinema-dashës, kudo në hapësirën shqiptare.

Kjo vepër e çiftit të artistëve, regjisorit Mevlan Shanaj dhe skenarin e shkrimtares Natasha Lako, shton një shenjë dhe sprovë të bukur e të realizuar, në filmin memorial shqiptar.

Është dokumentar për një personalitet që jetoi dhe influencon në dy kohë të ndryshme shoqërore. Ljarja, mishëroi të vetmen kohë karakteriale të vetvetes.

Është artisti me disa regjistra pasionesh, talenti, punësh dhe veprimtarish. Autori Shanaj e mban në këtë realizim shpërfaqjen e plotë të portretit të artistit sharmant, së pari mes dy hiseve themelore të jetës së njeriut: vendlindjes dhe familjes.

Emri i artistit shkodran, u shpërnda si talent dhe u konfirmua si artist, në harkun kohor të mbi 60 viteve në Shqipërinë nën komunizëm dhe këtë të pastajmen. Erdhi, u rrit, aktroi dhe jetoi në kostumin e patradhëtueshëm të vetvetes.

I gjykoi kohët në këtë kohë të lirisë gjykuese, pa transferuar dhe pa këmbëngulur në kërkime justifikimesh për artin dhe brendinë e tij ideore. Pjesa e vetërrëfimit prej Ljarjes në dokumentar është autentike.

Aktori udhëtoi bashkë me disa pasione dhe aftësi prej artisti, në fusha të tjera. (Ndër të paktët aktorë e regjisorë që ishte instrumentist për disa instrumenta, shkrimtar me disa libra, skenarist me disa skenarë dhe filma të suksesshëm, piktor me shumë punë dhe intelektual me sqimë.

Ljarja ishte intelektual, me aktivizëm mendimesh e fjale publike. Nuk i përkiste llojit me pjesëmarrje në kore portative partish apo prijësish të fiseve politike, si në kohë të parë dhe të dytë, të jetës së vet. Për këtë shtysë, si qytetar në ADN, ai e mishëroi pasionin për shkrimtarinë si dijeni dhe si dëshmi të pohuar më herët, prej Hygoit se ” letërsia krijon qytetërim”.

Në vlerësimin kapital që ekziston për Rikardin, prej shumëkujt, aq më tepër njerëzve të kinemasë dhe regjisë, konfirmohet fakti që solli aktrimin ndryshe.

Ai pasuroi gamën e karaktereve që tërheqin dhe spikasin, sikundër edhe bënë diferencë, prej veçanësisë aktoriale të traditës pararendëse dhe asaj në të cilën hyri e vijoi.

Rolet e Rikard Ljarjes, krijoheshin vetiakisht duke ekspozuar një botë të brendshme atipike ndër gjithë tipologjinë e imponuar të kinemasë socialiste.

Rikardi evitoi patetizmin vokal, edhe pse gëzoi zërin më të rrallë. Ai, e arriti shpejt shqueshmërinë prej valencës dhe talentit, si edhe prej portretit që aq shumë antropologjikisht europianist mbeti.

Premiera e dokumentarit të ndjekur nga disa qindra shikues në kinemanë “Milenium” të Tiranës, si për herë të parë, u mbush me karafila të kuq të cilët i kishte sjellë enkas, seicili pjesëmarrës. Edhe ky detaj regjisorial, i sugjeruar prej autorit të dokumentarit, i dha edhe më tepër emocion dhe peshë nderimi, shfaqjes. Ishte simbolikisht homazhi i munguar për Ljarjen, kur në pikun e pandemisë së COVID-19 humbi jetën dhe u strehua nën dhé, në mungesë të njerëzisë që e do.

Mevlan Shanaj nuk e tejkaloi raportin personal të mikut dhe artistit, me artistin e adhuruar shqiptar. Kamera regjisoriale e nis filmin-dokumentar, me një stand-up të regjisorit protagonist, duke e vendosur pashmangshmërisht Rikard Ljarjen në vendlindje dhe vendqëndrimin e përjetshëm, në Shkodër. Përmes kësaj hyrjeje, Shanaj  ia del të  evidentojë edhe më realisht bëmën e plotë dhe të bukur artistike, si dhe jetën krijuese të Ljarjes, në kontekst dhe brenda Shkodrës.

Në filmat e njohur “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Rrugë të bardha”, “Plagë të vjetra”, “Radiostacioni”, ”Shtigje lufte”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “ Skëter ‘43”, etj., etj.,

Rikard Ljarja qysh në fillim të dokumentarit, përcaktohet prej autorit, si një emër emërshtues për qytetin hijerëndë dhe sharmant të Shkodrës.

Imazhet filmike, pasazhet vetërrëfyese të Rikardit, rrëfimi i detajshëm i arkivistit të Teatrit “Migjeni”, fletëpalosjet njoftuese të koncerteve, në një prej të cilave Rikard Ljarja rreshtohet si instrumentist i fagotit, më pas fotografitë e tij si fizarmonicist e pianist,…etj., etj, janë detaje që në dokumentar pasurojnë dijen publike për jo-bashkëkohësit e tanishëm dhe ata të ardhëm, për një artist kapacitetesh.

Skenari dhe regjia me finesë na sollën Rikardin që erdhi në jetë nga dy prindër me rrënjë e investim qytetar e kulturor.

Përgjatë gjithë dokumentarit, dashuria e Rikardit për Shkodrën është aq e prekshme dhe dhimbshme si e thënë me vargun e Fatos Arapit :” Ç’dhembje qenka të dashurosh ty.”  Rikard Ljarja nuk e thotë askund me zërin e tij të bukur dhe sytë e vet aq folës, asnjëherë brengën penguese. Jo se shfaqej në vetëçensurim. Por për shkak se u bë kapërcyes me talentin dhe kulturën që i zotëronte si asete vetiake.

Në  librin triptik të tij “Prill”, në faqen e parë rrëfen një detaj artisti të penguar.

Gati 40 vite më parë shkroi një prozë të cilën e kishte konceptuar të mjaftueshme për tri filma të shkurtër. Vetëm pjesa e dytë e triptikut arriti të bëhej film.

Duke ndjekur dokumentarin, tentativa e regjisorit Shanaj, për t’i marrë një intervistë birit të vetëm të  artistit, Leandrit, dështon për shkak të prekjes së thellë të tij dhe lotimit nën peshën e dhimbjes për atin.

Është një ndër detajet më shprehëse të krejt dokumentarit, ku natyra e raportit bir-at, triumfon mbi çdo ligjërim apo rrëfim verbal sado i shumtë mund të jetë me fakte. Të njëjtin plotësim, në një mënyrë më fakt-thënëse, solli bashkëshortja e artistit, aktorja Marjeta Ljarja.

Dokumentari ia ka dalë të rrokë dhe paraqesë plotësisht shtatin dhe portretin specifik të artistit të shumë lëmive, regjisorit të risive dhe talentit që meriton më shumë vlerësim të sotëm e të ardhëm.

Shanaj na solli imazhin filmik të qytetarit me kalibra e me ndërgjegje, të personalitetit me cilësi antropologjike si shqiptar european dhe aq më tepër, me thelb të tillë.

Rikardi ishte artisti që jetoi intensivisht me punët e njëpasnjëshme që realizoi, por edhe i rrethuar dhe i gjendur përherë në një mjedis kulturor jo të ndenjur, por gjallues.

Dokumentari ofron emrat e shquar të artit shqiptar që shpallin vlerësimet e tyre dhe çmimet vetiake për Rikardin.

Dimensioni më imponues i Rikardit ka qenë dhe i tillë shfaqet plotësisht edhe në dokumentar, thjeshtësia.

Jetoi dhe krijoi duke mbetur më i vërtetë se natyra.

Në këtë premierë, në sallë shumë të pranishëm u përlotën.

Njohja e mundësuar prej dokumentarit për imazhin real dhe gati shenjtëror të Rikardit, të shtyn të zgjohen lotët nga dremitja në thellësinë e errët të vetvetes.

Artistët e ikur, ua marrin natyrshëm këtë dobësi të bukur të gjallëve.

/PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img