3.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Drenas, i akuzuar për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten është rihapur shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, i cili po akuzohet për korrupsion.

Edhe pse kjo seancë ishte caktuar për shpalljen e aktgjykimit, gjyqtari i rastit Gent Beka, njoftoi se trupi gjykues njëzëri ka çmuar se është e nevojshme të rihapet procedura penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi tha se në këtë çështje gjyqësore, pas dëgjimit të dëshmitarëve ka rezultuar një gjendje tjetër nga provat materiale.

Andaj, sipas tij është e nevojshme të merren në pyetje dëshmitarë të tjerë. Po ashtu, tha se gjykata do të kërkojë zyrtarisht dokumentacion shtesë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave të Komunës se Drenasit.

Lidhur me pretendimet e Prokurorisë dhe dëshmitarëve se nuk janë respektuar procedurat e prokurimit lidhur me renovimin e kulmit të objektit të shkollës fillore “Rilindja” në Dobroshec, gjyqtari Beka tha se nga shkresat e lëndës të dorëzuara nga Prokuroria gjendet edhe një dokument me titull ”Njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit– rregullimi dhe izolimi i Shkollës Fillore të Mesme dhe të Ulët “Rilindja” në Dobroshec, dhe renovimi i objekteve të banimit social”.

Ky dokument, sipas tij nuk është propozuar nga Prokuroria dhe nuk është administruar si provë materiale gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, e që rezulton se ai dokument është nënshkruar nga dëshmitari Mehmet Rama (ish-shef i Prokurimit në Drenas.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 mars 2020 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Tahiraj, me arsyetimin se nuk ishte provuar se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndaj këtij vendimi, brenda afatit ligjor ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar Apelit, aprovimin e ankesës, ndryshimin e aktgjykimit, ashtu që i akuzuari të shpallej fajtor apo çështja të kthehej në rigjykim. Duke vlerësuar aktgjykimin e ankimuar, sipas pretendimeve ankimore, por edhe sipas detyrës zyrtare, Apeli ka gjetur se i njëjti është i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Andaj, Apeli më 8 shkurt 2021 ka anuluar aktgjykimin lirues të shkallës së parë duke e kthyer në rivendosje.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij. Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.

Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshec, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.

Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015, me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe kompanisë së lartcekur.

Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshec, ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.

Akti akuzues, thotë se me këtë rast është dëmtuar Komuna e Drenasit dhe është dashur të paguajë përmes përmbaruesit privat shumën prej 17.043.50 euro. Ndërsa, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, thuhet se është dashur të paguajë shumën prej 8.454.31 euro.

Ish-drejtori i Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër, me ç’rast më 21 shtator 2018, ai ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa, në rastin tjetër ku i bashkakuzuar kishte qenë edhe ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, të dy të akuzuarit janë liruar nga akuza.

Në këtë rast, sipas aktakuzës Tahiraj në vitin 2014 ka keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos respektuar procedurat e prokurimit publik lidhur me furnizimin me vaj (antifiriz) për ngrohjen qendrore të shkollës “Rilindja” në fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img