0.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Riformatimi i Qeverisë shmang zgjedhjet e parakohshme?

Riformatimi mund të jetë një zgjidhje rezervë që e shpëton koalicionin aktual qeverisës nga zgjedhjet e parakohshme, thonë zyrtarë të partive në koalicion.

Çështjet madhore të koalicionit që nuk kanë arritur të kalojnë në Kuvendin e Kosovës, përfshirë posaçërisht procesin e demarkacionit, që mund t’i hapte rrugën liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, kanë nxjerrë në shesh mospajtimet në mesin e vetë anëtarëve të partive në pushtet. Dallimet kanë nxitur deputetë të shumicës që të kërkojnë zgjedhje të reja.

Por, zyrtarët e dy partive më të mëdha në vend, thonë se edhe në rast të dështimit të sërishëm të demarkacionit, vendi nuk ka pse të shkojë në një proces të ngutshëm zgjedhor.

Rrustem Mustafa, anëtar i Kryesisë nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se Qeveria aktuale ka nevojë për rifreskim dhe ndryshime. Ai thekson se edhe në rast të shkuarjes së Kosovës në zgjedhje të jashtëzakonshme, sërish në qeverisje mund të vijnë dy partnerët e koalicionit ekzistues dhe nuk mund të ketë ndryshime të mëdha.

Nga ana tjetër, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mendon se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm. Sipas tij, nuk ka nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje, pavarësisht mosmiratimit në Kuvend të Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Po ashtu, siç shprehet ai, vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje as për shkak të mos transformimit të FSK-së e as për shkak të Gjykatës Speciale.

“Nuk e mohoj mundësinë e zgjedhjeve, por në kuadër të analizës po them se [demarkacioni, ushtria, Gjykata Speciale] nuk janë elementet kryesore të cilat mund të çojnë në zgjedhje. Por, gjithsesi, nëse partnerët e koalicionit vendosin që të mos jenë më bashkë, në çdo moment mund të mbahen zgjedhjet”, shton Gashi.

Njohës të rrethanave besojnë se zhvillimet e muajve të ardhshëm do të mund të përcaktojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se koalicioni qeveritar dhe shumica parlamentare janë krijuar pikërisht për të çuar përpara disa procese të rëndësishme për vendin. Ai vlerëson se qeverisja aktuale nuk i ka realizuar planet e parapara dhe shumë procese kanë ngecur për shkak se Kuvendi ka qenë i paaftë përballë çështjeve që i janë parashtruar.

Sidoqoftë, Kosova që prej shpalljes se pavarësisë nuk ka pasur pothuaj asnjë qeveri të saj që ka përfunduar mandatin e plotë katërvjeçar, duke nxitur gjithnjë zgjedhje të parakohshme dhe kriza politike. /REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img