Site icon PrishtinaPress

Richard Grenell do të mbesë emisar për bisedimet Kosovë – Serbi

Ambasadori Richard Grenell do të vazhdojë të jetë emisar special amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, pavarësisht emërimit të sotëm në një detyrë të re nga Presidenti Donald Trump, atë të Ushtruesit të Detyrës së Kreut të Zbulimit Kombëtar.

“Mund të konfirmojmë se Ambasadori Grenell do të shërbejë në të njëjtën kohë si Ambasador i SHBA-ve në Gjermani, Emisar Special për negociatat paqësore mes Serbisë dhe Kosovës dhe- tani- si Ushtrues Detyre i Zbulimit Kombëtar”, tha për BIRN, Dick Custin, zëdhënës i Emisarit Special për bisedimet Kosovë – Serbi.

Më herët, Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar një deklaratë rreth emërimit të emisarit special amerikan për bisedimet Kosovë- Serbi, Richard Grenell, në postin e ushtruesit të Detyrës së Zbulimit Kombëtar.

Në këtë deklaratë, Sekretari i Shtypit në Shtëpinë e Bardhë foli për angazhimin paraprak të ambasadorit Grenell deri në këtë pozitë.

“Sot Presidenti emëroi Ambasadorin e Shteteve të bashkuara në Gjermani, Richard Grenell, si ushtrues Detyre i Zbulimit Kombëtar. Ambasadori Grenell u konfirmua në rolin e tij si Ambasador nga Senati më 18 prill 2018 dhe ka vite përvojë me Shërbimin tonë të zbulimit në një numër të pozitave shtesë, përfshirë edhe atë të Emisarit Special për bisedimet Kosovë – Serbi dhe si zëdhënës i Shteteve të bashkuara për OKB. Ai është i përkushtuar për një qasje jopolitike dhe jopartiake si kreu i Komunitetit të Zbulimit në të cilin varet siguria jonë. Presidenti ka besim se Ambasadori Grenell do t’i kryejë detyrat e tij të reja me nder”, tha Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë”, tha ky Sekretar.

Gjatë ditës së sotme, Presidenti Trump konfirmoi emërimin e Grenell në pozitën e re, pak orë pasi mediat amerikane kishin paralajmëruar për këtë emërim.

“Jam i lumtur të njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të jetë Ushtrues Detyre i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar. Rick ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të. Dëshiroj ta falënderoj Joe Maguire për punën e mrekullueshme që ka bërë dhe mezi presim që punojmë nga afër me të, ndoshta në ndonjë kapacitet tjetër brenda Administratës”, ka shkruar Trump në Twitter.

 

Exit mobile version