Site icon PrishtinaPress

Rezervat e gjakut, përmirësohet gjendja – shqetësim mbetet sigurimi i grupeve negative

Pas thirrjeve të shumta për dhurim të gjakut nga ana e Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut, tashmë gjendja e rezervave të gjakut është stabile, por kritike mbetet sigurimi i grupeve negative.

Kështu ka deklaruar drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), Bukurije Zhubi e cila për KosovaPress, thotë se pas disa aksioneve që kanë ndërmarrë është stabilizuar gjendja e gjakut në këtë qendër.

Zhubi ka deklaruar se listës së kërkesave për produktet e gjakut iu janë shtuar edhe pacientët e infektuar me COVID-19.

“Ka një stabilizim të gjendjes së gjakut, është stabilizuar gjendja bukur mirë, por nëse nuk vazhdohet me dhurim të gjakut përsëri do biem në gjendje kritike. Është më se e kuptueshme gjendja me të cilën jemi si situatë sfiduese për të gjithë edhe për neve si Transfuzion i Gjakut, edhe për dhuruesit dhe çdo qytetar të Kosovës, por ne duhet t’i bashkojmë forcat dhe ta bëjmë atë që është më e mira dhe ta krijojmë mundësinë e vazhdimit të personave të tjerë që varen pikërisht nga gjaku. Krahas pacientëve të tjerë që marrin gjak dhe përbërës të gjakut po ashtu kanë marrë gjak edhe pacientët me COVID-19”, tha Zhubi.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut thekson se nevoja për grupet negative të gjakut vazhdon të mbetet kritike.

“Kërkesat e grupit 0 nga ana e pacientëve kanë qenë shumë të mëdha të cilët kanë marrë gjak dhe kjo ka shkaktuar një ulje të përkohshme të këtij grupi, zero pozitiv – edhe pse ka qenë më i shpejt, ka qenë me mangëti në këto dy javët e fundit, por sigurisht grupet negative janë ai problem kryesor të cilët e kanë të gjitha transfuzionet e gjakut në përgjithësi. Këto grupe janë në mungesë gjithmonë edhe tek ne ndihet pak mungesa e grupeve negative”, deklaroi Zhubi.

Edhe në Njësinë Rajonale të Tranfuzionit të Gjakut të Prizren thonë se aktualisht gjendja e rezervat të gjakut është stabile.

Shefi i këtij shërbimi, Shasivar Sallahu thotë se për shkak të pandemisë ka rënë numri i dhuruesve të gjakut.

Kujtojmë se që nga përhapja e coronavirusit në Kosovë vazhdimisht është bërë thirrje për dhurim të gjakut pasi shpesh rezervat e gjakut në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut kanë qenë të ulëta. /kp

Exit mobile version