Site icon PrishtinaPress

Rexhep Kadriu denoncohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit për presion që një tender ta fitojë një kompani nga Gjilani

Shumë lëvizje e tensione ka pasur javën e kaluar në Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së.

Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Betim Reçica, i ka dërguar një letër ministrit Pal Lekaj, me të cilën e ka denoncuar zëvendësministrin Rexhep Kadriu.

Në letrën të cilën e ka siguruar KTV-ja thuhet se zëvendësministri Kadriu, ka provuar të ndërhyjë dhe të ushtrojë ndikim për ta favorizuar një kompani të caktuar për ta fituar një tender.

“I nderuar ministër, Përmes e-mailit zyrtar, me datën 15.07. 2019 në ora 08:06 minuta, kam pranuar njoftimin për “raportim për ndërhyrje dhe ushtrim ndikimi”, të dërguar nga znj. Blediona Gegollaj, anëtare e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Ekzaminimet kontrolluese për shërbime laboratorike të rrugëve regjionale dhe rajonale”, me numër prokurimi MI 19 019 211. Sipas “raportit për ndërhyrje dhe ushtrim të ndikimit”, me datën 11.07.2019, ditë e enjte, z. Rexhep Kadriu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, e ka thirrur znj. Blendiona Gegollaj në zyrën e tij dy herë, përmes asistentes së tij Drenusha Sherifi, rreth orës 11:00, me qëllim të ushtrimit të ndikimit që komisioni të veprojë në favor të tij. I njëjti e ka ftuar edhe anëtarin e komisionit z. Hysen Merovci, për vlerësimin e ofertave për të ushtruar ndikim që i njëjti të mos aplikojë kriteret e dosjes së tenderit ndaj kompanisë “IPE – Controls”, pasi që te kjo kompani kemi konstatuar mungesë të pajisjeve gjatë vizitës në terren. Të njëjtën ditë, z. Hysen Merovci ka raportuar në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm…”

Kompania për të cilën Kadriu akuzohet se dëshironte ta favorizonte vjen nga Gjilani, qytet nga i cili është vetë zëvendësministri.

Person i autorizuar rezulton Aulon Fazliu dhe kompania ka kapital 30 mijë euro.

KTV-ja ka folur gjatë ditës me zëvendësministrin Kadriu. Ai fillimisht ka thënë se po dëgjon për rastin për herë të parë nga televizioni, më pas ka thënë se nuk e mohon as nuk e pohon ngjarjen, e në fund se pyetjet duhen drejtuar ministrit Lekaj.

Vetë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka konfirmuar për KTV-në denoncimin e sekretarit, por ka thënë se po e pret edhe raportimin e zëvendësministrit për të vendosur për masat e mundshme.

“Njëjtë si letrën nga sekretari, po pres edhe raportimin nga zëvendësministri, pastaj do t’ju informojmë për versionet nga të dyja palët. Pas pranimit të raportit dhe shqyrtimit, do të mund të flasim për procedura të mëtutjeshme”, ka thënë Lekaj në një përgjigje me shkrim për KTV-në.

E anëtari i Komisionit për vlerësimin e ofertave, Hysen Merovci, i cili e akuzon Kadriun për presion, ka thënë se nuk mund të flasë për këtë nëpërmjet telefonit.

Kontakti me sekretarin Reçica, të enjten ka qenë i pamundur.

Ministria e Infrastrukturës është vetëm një nga dy ministritë që udhëhiqet nga partia e kryeministrit Haradinaj.

https://youtu.be/hvO4OJpiYss

Exit mobile version