Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha se Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) me gjithçka që parasheh brenda tij, është i një fryme anti-media.
Sipas Rexhës, mënyra si është zhvilluar i gjithë procesi për Ligjin e KPM-së, sipas bashkësisë ndërkombëtare, raportit të ekspertes dhe vetë atyre, tregon se ka munguar përfshirja e shoqërisë civile, e akterëve-hisedarëve të vërtetë për të dhënë kontributin e tyre në këtë ligj.
“Dhe nuk ka ndodhur asgjë, jemi injoruar nga Qeveria e Kosovës derisa e kemi parë më 28 dhjetor të vitit të kaluar kur Qeveria e ka nxjerrë online, në fakt e ka miratuar Projektligjin për ta dërguar pastaj në Kuvendin e Kosovës. E gjithë mënyra se si ka shkuar procesi dhe qëllimi i këtij ligji me gjithçka që parasheh brenda është i një fryme anti-media. Fatkeqësisht, ky është vlerësimi ynë, është i një fryme që ka për synim zvogëlimin e pluralitetit medial në Kosovë, ka për synim kontrollin- disciplinimin në formën më të butë të mediave, sidomos mediave online”, tha Rexha në emisionin Tempus në KTV.