Brenda disa javësh, presidenti Joe Biden do të marrë emërimin e Partisë Demokrate përmes një votimi virtual, pavarësisht thirrjeve për t’u tërhequr nga gara presidenciale, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters katër individë të përfshirë në proces.
Emërimi virtual bëhet në prag të mbajtjes së kuvendit kombëtar demokrat në Çikago në fund të gushtit.
Zakonisht, demokratët dhe republikanët i shfrytëzojnë kuvendet kombëtare për të emëruar zyrtarisht kandidatët e tyre presidencial.
Por demokrati Biden do të marrë emërimin zyrtar disa javë përpara se partia e tij të hapë kuvendin kombëtar në Çikago më 19 gusht.
Nuk është e qartë se si do të funksionojë saktësisht procesi i emërimit të hershëm, thanë zyrtarët demokratë.
Votimi virtual është një “ide e keqe”, thotë Aaron Regunberg, anëtar i komitetit drejtues të grupit demokrat “Pass the Torch”, duke shtuar se kjo, “do të minonte thellësisht moralin e demokratëve, delegatëve, vullnetarëve, organizatorëve, donatorëve dhe votuesve të zakonshëm, në situatën më të keqe të mundshme”.