Site icon PrishtinaPress

Reuters: Arrihet marrëveshja për armëpushim në Gazën Jugore

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Egjipti kanë arritur një marrëveshje për armëpushim në Gazën jugore që synon të koordinohet me rihapjen e kalimit kufitar Rafah.

Këtë lajm e raportojnë dy burime të sigurisë egjiptiane, të cilat janë cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Agjencia Reuters ka bërë të ditur se ky armëpushim pritet të nisë në orën 06:00 GMT.

Po ashtu, raportohet se kufiri Rafah, i cili është nën kontrollin e Egjiptit, do të hapet në të njëjtën kohë me fillimin e armëpushimit.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se aktualisht nuk ka konfirmime zyrtare që vërtetojnë hapjen e këtij kalimi kufitar, raporton BBC.

Kjo marrëveshje vjen në kohën e tensioneve të ashpra që kanë tronditur rajonin, përfshirë këtu edhe shpërthimet dhe sulmet në Gazë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se është e paqartë nëse dhe për sa kohë do t’u lejohet njerëzve të kalojnë tranzit në vendkalimin jugor.

“Nëse e vlerësoni si të sigurt, mund të dëshironi të afroheni më pranë pikës kufitare Rafah – mund të ketë shumë pak njoftim nëse kalimi hapet dhe mund të hapet vetëm për një kohë të kufizuar”, thuhet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Zyrtarët po punojnë për “opsionet e mundshme për nisje” për amerikanët në Gaza.

Exit mobile version