Site icon PrishtinaPress

Reshitaj: Regjioni i Prishtinës ka ajrin më të ndotur në Kosovë

Prishtina, Obiliqi Fushë Kosova dhe Komunat e Vushtrrisë dhe Mitrovicas, janë komunat me ndotjen më të madhe të ajrit. Kështu tha ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, në një ligjëratë me temën: “Cilësia e Ajrit, sfidat dhe veprimet”, para studentëve të RIT Kosovo (A.U.K).

Ajo ka treguar edhe për shkaqet që e ndotin ajrin në vend.

“Ne si shtet nuk jemi vend shumë i zhvilluar në aspektin industrial, prandaj ne duhet të menaxhojmë dhe monitorojmë me industritë dhe fabrikat të cilat funksionojnë në vendin tonë. Në vendin tonë është një problem me komunikacionin dhe importimin e makinave, problematika tjetër është cilësia e karburanteve. Ky problem duhet të zgjidhet në bashkëpunim me ministritë tjera për të ulë ndotjen e ajrit në vend”, tha Reshitaj.

Në Kosovë sipas Reshitaj, në regjionin e Prishtinës paraqitet ndotja më e madhe ajrit.

“Në gjithë regjionin e Kosovës, problemet më të mëdha me ndotjen e ajrit i hasim në Komunën e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës e deri diku edhe rrethet e Komunës së Vushtrrisë dhe Mitrovicës”, theksoi ministrja Albena Reshitaj.

Ajo ka përmendur edhe ndalimin e regjistrimit të veturave më të vjetra se 10 vjet, duke thënë se kosto e shëndetit është më e rëndësishme.
Po ashtu ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka kërkuar ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla.

“Duhet ta ndërpresim përdorimin e thëngjillit në ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla. Kam mbetur e zhgënjyer kur kam parë se mbi 200 shkolla përdorin thëngjillin si mjet ngrohjeje. E për këtë kam rekomanduar ministrin e Arsimit që të marrë masa për ta ndalur përdorimin e thëngjillit nëpër shkolla dhe kopshte”, tha ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj.

Exit mobile version