Site icon PrishtinaPress

Reshitaj paraqet risitë e projektligjit për efiçiencë të energjisë

Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, në Kuvendin e Kosovës ka diskutuar lidhur me Projektligjin për Efiçiencë të energjisë. Reshitaj, ka përmendur disa risi që i ka ky Ligj.

“Ndër risit që i ka, ky Ligj vendos synimet e Republikës së Kosovës në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian sa i përket efiqiencës së energjisë, përcakton strukturën dhe përmbajtjen e planit kombëtar të veprimit për efiqiencë të energjisë dhe planeve komunale të veprimit të efiqiencës së energjisë si dokumente kryesore strategjike”, tha Reshitaj.

Sipas saj, me këtë Ligj themelohet edhe fondi i Kosovës për efiqiencë të energjisë.

“Themelon fondin e Kosovës për efiqiencë të energjisë i cili do të shërbej si mekanizëm i qëndrueshëm i cili do të ndihmoj në arritjen e caqeve të Republikës së Kosovës në fushën e efiqiencës së energjisë. Ky fond do të investoj në projektet e efiqiencës kryesisht në sektorin publik dhe synohet që investimet të kthehen përmes kursimit të energjisë”, tha Reshitaj.

Këtë Projektligj e kanë përkrahur përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare, por Kuvendi ende nuk e ka hedhur në votim.

Exit mobile version