Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Sërpska (RS) do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”, njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Sërpska në Srebrenicë të enjten, më 23 maj.
Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.
Kjo nuk është shkëputje, ndarje paqësore nuk është shkëputje, e drejta e garantuar me Kushtetutë është ndarja paqësore. Ne do të ofrojmë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviq, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin.
Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.
Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.
Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.
Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”./rel/