Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, do të mbajë një seancë në fillim të korrikut, për të ratifikuar Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”, të nënshkruar më 8 qershor.
Kështu ka thënë kryetari i Asamblesë, Nenad Stevandiq.
“Kuvendi gjithëserb” është mbajtur më 8 qershor në Beograd.
Përgjatë takimit, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska, e kanë nënshkruar Deklaratën për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dokumenti i referohet Marrëveshjes së Dejtonit – që i ka dhënë fund luftës në Bosnje – dhe nuk përmend përçarjet aty.
Ky dokument duhet të miratohet nga parlamentet e dy palëve brenda 90 ditëve.
Stevandiq i ka thënë Radiotelevizionit të Serbisë, më 9 qershor, se dokumenti i miratuar nuk ka të bëjë me ndonjë “Serbi të madhe”, por për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në të gjitha vendet.
Në organizimin e 8 qershorit kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.
Çfarë thuhet për Kosovën?
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.
Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.
Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.
Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL