Një nga episodet më të rëndësishme e dramatike të historisë jo vetëm të Kosovës dhe shqiptarëve, port ë gjithë rajonit. Bëhet fjalë për rrezikun e hapjes së të ashtuquajturit “frontit jugor” të luftës në Jugosllavi. Pra që lufta të kishte nisur nga Kosova. Një version që e ka kundërshtuar prerë udhëheqja e re e Kosovës që drejtohej nga Ibrahim Rugova, i cili mendonte se kjo do të ishte një masakër masive për shqiptarët. Por duket se përvç Rugovës, Bukoshit e liderëve të tjerë të Kosovës, këtë skenar që e ka përkrahur udhëheqja nacionaliste kroate, e kundërshtoi edhe SHBA. Por disa politikanë kosovarë, e përkrahën hapjen e frontit të jugut, madje këtu u përfshinë edhe zyrtarë nga Shqipëria. Ky episod jepet qartësisht në pjesën që do të botojmë sot të librit “Republika e Parë”, të gazetarit Mero Baze.
Nga Mero Baze
Përpjekja kroate për të ndezur “frontin e jugut” në Kosovë
Kroacia po bënte plane për pavarësinë e saj dhe kishte nisur fërkimet në Presidencën e Jugosllavisë, ndërsa Kosova shikohej si mundësi për t’i vënë zjarrin ish-Jugosllavisë. Ndërkohë që kishte hapur dyert përkohësisht për gazetarë dhe politikanë nga Kosova, Kroacia shpresonte shumë se trazirat e Kosovës do të mund të ktheheshin në luftë të armatosur të shqiptarëve me Serbinë, luftë që do t’i harxhonte shumë energji Serbisë në frontin e jugut, duke i dhënë epërsi betejës së kro- atëve kundër tyre.
Në vjeshtën e vitit 1990, kur Stipe Mesić-it i kishte ngelur në dorë drejtimi i kryesisë së fundit të ish-Jugosllavisë dhe Kosova praktikisht ishte kthyer në shtojcë të Serbisë, problemi më serioz ishte se me kë duhet të bisedohej në Kosovë për luftë. Për çudi, më të gatshëm ishin pjesa e elitës komuniste, Mahmut Bakalli dhe Jusuf Zejnullahu që mund të quhet kryeministri i fundit i autonomisë së Kosovës.
Zejnullahu ia ka prezantuar Rugovës nevojën e luftës, në një takim ilegal që ka pasur në fund të vitit 1990, në Zagreb. Gjatë takimit, sipas dëshmive të vetë Zejnullahut, i ka përcjellë Rugovës projektin e Kroacisë dhe Sllovenisë për ndarje me luftë nga Serbia dhe i ka shtruar nevojën që dhe Kosova duhet të bëhet gati për luftë. “Stipe Mesić më ka përcjellë mendimin kroat se Serbia nuk duhet lejuar të nënshtrojë një nga një republikat. Serbia nuk duhet lejuar ta realizojë këtë strategji. Duhet ditur se një ushtar serb që lufton në Kosovë, nuk mund të angazhohet në Kroaci dhe anasjelltas. Mesić më ka parashtruar dhe gatishmërinë për çfarëdo ndihme që i nevojitet Kosovës për mbrojtjen e vetes.”
Ibrahim Rugova e ka dëgjuar me indiferencë dhe i ka premtuar se pasi ta shqyrtojnë në Kosovë, do t’i përgjigjej. Në fakt, nuk ia përgjigj kurrë. Por përpjekja më serioze ka qenë takimi i 19-20 janarit 1991, në “Stubičke Toplice”, një resort i banjave termale afër Zagrebit. Në krye të përpjekjeve nga pala shqiptare qëndronte Tom Berisha, një përfaqësues i shqiptarëve të Kroacisë me lidhje të forta politike me ish-nomenklaturën komuniste të shqiptarëve të Kosovës, kryesisht grupin e Mahmut Bakallit.
Takimi dyditor ka qenë debat i madh mes gjithë faktorëve shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia, rreth shanseve për të ndezur konfliktin e armatosur në Kosovë. Në takim ka qenë e ftuar thuajse gjithë elita politike dhe intelektuale e vendit.
Debatet rreth mundësisë së ndezjes së luftës në Frontin e Jugut, kanë qenë kryesisht të grupit të shqiptarëve të Kroacisë të lidhur me Franjo Tugjman. Akademik Hivzi Islami që ka përshkruar këtë takim, dëshmon se në krah të tyre ishte Mahmut Bakalli.
Në fund të ditës së dytë, u bë përmbledhje e diskutimeve dhe u krijua komision për një komunikatë që ndryshoi disa herë përmbajtjen. Në atë kohë, Radio Zagrebi transmetonte pesë minuta lajme shqip, në orën 22.30. Franjo Tugjman, i pakënaqur me përfundimin e takimit, e çoi këtë emision në ora 1.30 pas mesnatës dhe vetëm pas disa ditëve e mbylli fare.
Pas dështimit të këtij takimi, ka vazhduar insistimi dhe me liderë të tjerë të Kosovës. Bujar Bukoshi kujton një takim me kryeministrin kalimtar të Kroacisë dhe njeriun e afërt të presidentit Franjo Tugjman, Josip Manolić.
“Këmbëngulte se Kosova duhet t’ia niste luftës. I thashë se duhet të mendohemi mirë për këtë.
– Atëherë kurrë s’keni me u bashku me Shqipërinë. – më tha.
– Ani, s’ka problem. I bëjmë dy shtete shqiptare. – i thashë. – Jemi si një pushkë me dy gryka…
U nda i zemëruar.”
Por Kroacia i ka lëvizur ujërat dhe në Shqipëri. Edhe pse nuk ka dokumente zyrtare, duket se në qeveritë tranzitore të Shqipërisë së vitit 1991, ka pasur plot takime të papërgjegjshme që i kanë fryrë kësaj historie. Shqipëria e uritur, e dëshpëruar dhe e paqartë për të ardhmen e saj, binte pre e çdo oferte. Një e tillë ka qenë dhe nevoja për të sjellë ndihma humanitare nga Kroacia në Shqipëri, në shkëmbim të rolit të Shqipërisë për luftën në Kosovë dhe përgatitjet e disa ushtarëve të Kosovës në Shqipëri.
Por sinjalet e forta të Perëndimit kundër kësaj lëvizje, lanë gjithçka në mes. Në maj të vitit 1992, ndërsa në Kosovë po zhvilloheshin zgjedhjet e para për Parlamentin e ri dhe presidentin, shtypi kroat zbuloi disa nga këto histori, të cilat qeveria shqiptare i mohoi.
Zv. kryeministri i ish-Republikës Jugosllave të Kroacisë, Zdravko Tomac, kishte bërë një deklaratë të dyshimtë në televizionin kroat. Gazeta “Politika” e Beogradit e kishte marrë këtë dekla- ratë dhe shkruante: “Kroacia ka bërë marrëveshje me një shtet të huaj për ta furnizuar atë me artikuj ushqimorë në shkëmbim të hapjes së një fronti të ri në krahinën e Kosovës dhe Metohisë.”
I referohej Zdravko Tomac-it. Gazeta shkruante se Tomac e deklaroi këtë në kanalin televiziv të Zagrebit, duke shtuar se shteti i sipërmendur nuk e ka mbajtur premtimin e tij dhe s’e ka paguar Kroacinë për artikujt ushqimorë të lëvruar. Aludimi për Shqipërinë ishte i qartë. Sipas tyre qeveria shqiptare kishte marrë ndihma ushqimore falas nga Kroacia, duke i premtuar asaj nisjen e luftës në Kosovë.
Por këto insinuata i hodhi poshtë përfaqësuesi i Shqipërisë në KSBE, gjatë takimit të Komitetit të Zyrtarëve të Lartë të saj, mbajtur në Helsinki, më 20-22 maj. “Qeveria shqiptare nuk ka asnjë dijeni për marrëveshje të tillë. Ajo deklaron se me qeverinë kroate nuk ka pasur asnjë lloj kontakti, për asnjë lloj problemi. Për mendimin e qeverisë shqiptare, lajmi është përhapur në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë, që për gjendjen atje të bëjnë fajtorë faktorë të jashtëm.”
Me këtë episode, duket se u varros dhe përpjekja kroate për ta eksportuar konfliktin në Shqipëri. Tani shumica e politikanëve shqiptarë kanë qëndrim kritik ndaj kësaj historie.