Site icon PrishtinaPress

Rënia e eksportit, Qeverisë i kërkohet me urgjencë t’i shqyrtojë politikat fiskale e stimuluese

Ndryshimi i politikave fiskale, themelimi i fabrikave, ulja e kërkesave për import të mallrave, politika më të favorshme për investime të huaja dhe gjetja e masave stimuluese për prodhim, po konsiderohen të jenë ndër hapat kryesor që duhet ndërmarrë në mënyrë që të rritet vlera e eksportit dhe të bie vlera e importit të mallrave në Kosovë.

Në raportin e fundit për tregti të jashtme të mallrave në Kosovë, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2023, kishte vlerën 65.4 milionë euro, ndërsa importi 543,1 milionë euro, që është një rënie prej 9.3 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 4.1 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Njohës të ekonomisë thonë se rënia e eksportit të mallrave mund të jetë si rezultat i rënies së kërkesës në vendet e eksportit apo e nivelit të konkurueshmërisë së prodhimeve vendore, karshi konkurrencës ndërkombëtare.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna e vlerëson shqetësues faktin e trendit të rënies së eksportit e ngritjen e importit të mallrave në Kosovë, derisa shton se kjo situatë duhet të merret me urgjencë dhe të shihet se ku ka ngecje.

Rafuna në një prononcim për KP, tha se janë disa masa që duhet ndërmarrë në mënyrë që situatë të ndryshojë, për çka thotë se kjo çështje është “kompentencë ekzluzive” e Qeverisë së Kosovës.

Ndër të tjera, Rafuna potencoi se Kosova importon më së shumti produktet për konsum të gjerë, duke përfshirë ushqimet dhe tekstilin. Derisa shtoi se te eksporti dominon industria e drurit dhe ajo e përpunimit të ushqimit.

Rafuna thotë se te eksporti edhe plastika është kërkesë në rritje.

Exit mobile version