-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

​Remi vazhdon edhe nesër dëshminë në Gjykatën Speciale

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa është intervistuar për të dytën ditë me radhë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

Në pjesën e fundit të seancës, prokurorja Clarie Lawson ka paraqitur disa dokumente, të cilat nuk janë bërë publike, por që ishin të nënshkruara nga ish-komandant Remi.

Por ai është shprehur i befasuar me përmbajtjen e njërit prej tyre, ani pse ka pohuar se nënshkrimi duhet të jetë i tij.

“Nënshkrimin duhet të jetë i imi por unë befasohem me këtë dokument, nuk është formë e dokumenteve tona që unë kam nënshkruar. Forma e përmbajtja, më duket interesant”, ka thënë ai.

Prokurorja ka kërkuar që ai të lexojë paragrafë nga këto dokumente ku theksohej data dhe emri i personave të ndaluar.

“Emrin nëse më lejoni do të kursej sepse nuk dëshiroj të ndjehet familja e tyre keq, apo ai personalisht. I lindur me 12.06. 1955 në Llapashticë të Poshtme ku edhe jeton, mbajtje në lokalet e PU-së (Policia Ushtarake), prej 4.1.99 në ora 23:00, për shkak të dyshimti të bazuar ka kryer vepër penale të vjedhjes”, ka thënë ai.

Tutje, prokurorja ka lexuar një dokument të nënshkruar nga Nazif Mehmeti ku sipas saj përmendej fjalia “masat e marra nga organet ushtarake”.

Lidhur me këtë ka pasur një përgjigje ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit.

“Kjo është krekosje pak e Nazif Mehmetit, ai ka qenë me edukim të lartë policor në ish-Jugosllavi i ka njohur rregullat mirë dhe i ka bërë këto lloj dokumentesh duke u krekosur, nuk kemi pasur këso mundësi as këso procesesh”, ka thënë Mustafa.

Ky dokument është paraqitur si provë nga prokuroja Lawson e cila pastaj i ka përmendur emrat e disa personave në seancë private.

Gjatë kësaj dëshmie, prokurorja e ka pyetur Mustafën për lirimin e personave të ndaluar, për çka ai ka thënë se të gjithë ishin liruar përveç një Fadil Syleviqit.

Mustafa: Ishte momenti kur ne nuk ishim të sigurt as vet, nuk mund të mirëmbanim shtëpitë e ndalimit, me përshtatim të një personi, të gjithë të tjerët janë të liruar.

Prokurorja Lawson: E keni fjalën për prillin e vitit 1999?

Mustafa: Po.

Prokurorja Lawson: Ju përmendet se vetëm njëri i mbajtur nuk u lirua. A mund ta jepni emrin e tij, nëse mund ta jepni në seancë publike.

Mustafa: Kam fol shumë herë në publik për të. Ishte Fadil Syleviq… punëtor i sigurimit shtetëror serb.

Prokurorja Lawson: Nuk do të kishte qenë për të e sigurt thjeshtë të kthehej në Prishtinë?

Mustafa: Nuk ishim të sigurt q ai nuk do të na dëmtonte në çdo moment. Kishte njohuri të madhe për UÇK-në dhe gjithë organizimin.

Ndërsa kur është pyetur nëse ka biseduar ndonjëherë me personat e mbajtur, ai e ka përmendur bisedën me Fadil Syleviqin.

Për të, ish-komandant Remi ka thënë se ka qenë punëtor i shërbimit sekret serb dhe se i njëjti kishte provuar të ndërtonte njësi të UÇK-së.

“Fadil Syleviqi kishte provuar të ndërtonte njësi të UÇK-së në regjionin ku unë isha përgjegjës dhe ne e dinim se Fadil Syleviqit ishte punëtor i shërbimit sekret serb dhe ai po manipulonte njerëzit në fshatrat e Prishtinës. (U arrestua) në një fshat të Prishtinës është bërë luftim në mes të njësiteve të UÇK-së dhe grupi të tij, është marrë me forcë, është arrestuar dhe është sjell aty ku ishte njësitet e UÇK-së të zonës operative të llapit”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë e ka biseduar me të pasi i kanë interesuare lidhjet që sipas tij i kishte pasur me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

“Më kanë interesuar lidhjet e tij me shtabin e përgjithshëm të UÇK-së. E ka pranuar (për lidhjet me Shtabin e Përgjithshëm) ai vet dhe kam pasur ndërhyrje të deleguar nga shtabi i përgjithshëm për lirimin e tij. Njerëz të dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm kanë folur me mua por unë vetëm sa shtoja bindjen që ai është edhe më inteligjent është me detyra nga shërbimi sekret serb. Fadilin e kemi njohur edhe më herët, ne eprorët e zonës së llapit, e kemi ditë, ka qenë nën vëzhgimin tonë dhe e kemi ditë që është njëri i dëmshëm që po dëmtonte njësitet dhe UÇK-në. Kanë ardhur, kanë folë, kanë kërkuar ta lirojmë, kemi menduar që kanë ra në lajthitje nga shërbimi sekret serb”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka thënë se Syleviq nuk ka qenë asnjëherë pjesëtar i UÇK-së.

Ndërsa tutje ka treguar një rast kur sipas tij kishin zënë rob tetë ushtarë serb dhe kanë pasur në vizitë persona nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ndërkombëtarëve.

Mustafa: Kemi zënë rob diku tetë ushtarë serb dhe e di që ka rastis të jenë mysafir tek unë (shtabi i përgjithshëm). Bislim Zyrapi i ka udhëhequr vizitat, ka mundur të jetë edhe ndonjë tjetër.

Prokurorja Lawson: Po Jakup Krasniqi ka qenë i pranishëm?

Mustafa: Me siguri janë përshkrimet publike për vizitat e shtabit të përgjithshëm, ka evidenca edhe në gjyq edhe në intervista të mija të mëhershme.

Prokurorja Lawson: Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, a ndërmorën ndonjë veprim në përgjigje të këtij veprimi ,të arrestimit të këtyre ushtarëve serb?

Mustafa: Aty ka pasur ndërmjetësim ndërkombëtar, e di që ka qenë zoti Wiliam Walker dhe të tjerë, ka qenë i përfshirë edhe Adem Demaçi më duket, shefi për politikë në zyrën në Prishtinë.

Gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij në Hagë, ish-komandant Remi ka folur edhe për vizitat që i kishte bërë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Mustafa: Sa kam mundur kam marrë pjesë në mbledhjet e shtabit të përgjithshëm, jam munduar të jem i saktë, i përpiktë.

Prokurorja Lawson: Kush i organizonte takimet në Shtabin e Përgjithshëm?

Mustafa: Kanë qenë të organizuara nga shefi i shtabit Bislim Zyrapi, shpesh herë në këto takime e kam takuar Jakup Krasniqin, Ramë Bujën, Salih Veselin, e më vonë edhe Hashim Thaçin dhe të tjerë… Rexhep Selimi, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se në takime kanë marrë pjesë komandantët e zonave ku ka përmendur Rrahman Ramën, Ahmet Isufin, Sylejman Selimin, Shukri Bujën, Ramush Haradinajn e komandant Drinin.

Kjo është dita e dytë e dëshmisë së ish-komandant Remit ndërsa intervistimi i tij do të vazhdojë edhe të enjten.

Ai është betuar si dëshmitar të martën para turpit gjykues në Hagë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit.

Të akuzuarit kanë marrë pjesë fizikisht në sallën e gjyqit për ta dëgjuar këtë dëshmi.

Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img