4.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

REL: Asociacioni – “kartë e Rusisë” në Këshillin e Sigurimit

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është dakorduar nën patronazhin e Bashkimit Evropian, por themelimin e tij tani e kërkon Rusia.

Asociacioni, i cili tash e dhjetë vjet është shkak i përplasjeve midis Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë temë e diskutimit në Nju Jork, përkatësisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këtë e ka paralajmëruar ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko.

Ai ka thënë se vendi “angazhohet për një diskutim produktiv për thelbin e problemeve, që janë vërtet akute për serbët, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, ka marrë kryesimin njëmujor të këtij organi në muajin prill.

Kryesimi i saj përkon me seancën e rregullt për Kosovën, e caktuar për datën 27 prill.

Bashkimi Evropian ka thënë më herët se do të “kundërshtojë çdo keqpërdorim” nga Rusia, gjatë udhëheqjes së Këshillit të Sigurimit.

“Ardhja e Rusisë në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e denjë për një shaka të 1 prillit. Pavarësisht se është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia vazhdon ta shkelë thelbin e kornizës ligjore të OKB-së”, ka thënë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Rusia është nën sanksione nga Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022.

Deri më sot, mijëra civilë janë vrarë në Ukrainë, miliona janë larguar nga shtëpitë dhe dhjetëra qytete janë shkatërruar.

Çfarë do Rusia?

Nisma e Rusisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe vjen pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të re gojore për normalizimin e marrëdhënieve, në fund të shkurtit.

Marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Drejtori ekzekutiv i Institutit joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, Naim Leo Beshiri, e përshkruan Rusinë si një “faktor shkatërrues për çdo marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës”.

“Natyrisht se përpiqet t’i turbullojë ujërat për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Rusia përpiqet ta kundërshtojë çdo përparim në këtë pjesë të Evropës”, thotë Beshiri për Radion Evropa e Lirë.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Prishtina dhe Beogradi janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Procesi duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Palët akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për bllokimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Rusia, e cila mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ka akuzuar BE-në dhe SHBA-në se janë të njëanshme, duke i “përfaqësuar interesat e Prishtinës zyrtare”.

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, ka thënë se “Prishtina e ka injoruar një detyrim kyç për një dekadë, por se ende po ia del mbanë”, duke iu referuar kështu formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ndërmjetësuesit evropianë kanë treguar sërish – ashtu siç edhe pritej – pandershmërinë e tyre”, ka thënë Botsan-Kharchenko në një deklaratë të transmetuar nga mediat e Beogradit.

Pas dakordimit të Prishtinës dhe Beogradit për të zbatuar Marrëveshjen e re për normalizimin e marrëdhënieve, në muajin mars në Ohër, BE-ja dhe SHBA-ja u kanë bërë thirrje dy vendeve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tani, përfshirë edhe Marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Thirrja e fundit për krijimin e Asociacionit është bërë nga zyrtarët perëndimorë më 19 prill – në ditën që është shënuar një dekadë nga nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se pret që deri më 2 maj – kur liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel – Qeveria e Kosovës ta ketë propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Shpresoj se deri më 2 maj do të ketë një draft të zbatueshëm”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës, më 20 prill.

Sa e fuqishme është Rusia në OKB?

Prej se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, zyrtarët në Serbi kanë refuzuar ta njohin atë.

Deri më tani, Serbia ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Në këto qëllime, ajo ka pasur mbështetje nga Rusia dhe Kina.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Serbia ka mbështetur disa rezoluta që kanë dënuar agresionin rus përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Por, ajo ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Përveç Bashkimit Evropian, edhe vende të tjera perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, i kanë vënë sanksione Rusisë.

Mbështetja e Moskës për çështjen e Kosovës është një nga arsyet përse Serbia refuzon t’i vendosë sanksione.

Sipas Naim Leo Beshirit, Rusia përpiqet të dëshmojë se pyetet ende për marrëdhëniet ndërkombëtare në botë.

“Por, marrë parasysh pushtimin e Ukrainës, ajo [Rusia] nuk është shumë e besueshme për të nisur ndonjë bisedë apo diskutim brenda OKB-së”, thotë Beshiri.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Perëndimi ka bërë thirrje për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit.

Megjithatë, ky organ i OKB-së nuk ka marrë masa parandaluese apo shtrënguese kundër Rusisë deri më tani.

Çfarë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Zyrtarët serbë, të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq, e kanë vënë themelimin e Asociacionit si parakusht për përparim të mëtejshëm në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Por, përderisa Beogradi këmbëngul në një asociacion me kompetenca të gjera, autoritetet e Kosovës besojnë se ai do të ishte i dëmshëm për funksionalitetin e shtetit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më herët se disa parime për formimin e këtij asociacioni nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe se ato duhet të harmonizohen me rregulloret e Kosovës.

Për Prishtinën është e diskutueshme çështja e juridiksionit të Asociacionit – gjegjësisht nëse do të ketë kompetenca ekzekutive ose jo.

Asociacioni do të duhej të përbëhej nga dhjetë komuna në Kosovë: Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi, Novobërda, që gjenden në jug të Lumit Ibër, dhe nga Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, që gjenden në veri.

A e do Rusia Asociacionin?

Beshiri thotë se “ndërhyrja” e Rusisë për formimin e Asociacionit ka të bëjë “më shumë me rrethanat politike ditore në Rusi dhe Serbi”, sesa “me kontributin për paqe në Ballkan”.

Ai thotë se formimi i Asociacionit nuk i përshtatet Rusisë, sepse një gjë e tillë është paraparë të bëhet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Nëse nuk e njohin Kosovën, atëherë nuk i njohin as ligjet e saj. Por, ndoshta, Rusia mund ta shfrytëzojë mundësinë për të ndikuar te liderët politikë të serbëve në Kosovë dhe autoritetet në Serbi, për të gjetur mënyra që Asociacioni të ketë kompetenca që mund ta minojnë shtetësinë e Kosovës”, thotë Beshiri.

Sipas tij, është e qartë se pala kosovare nuk do të pajtohet me këtë.

“Ne kemi dy kërkesa të kundërta. Nga njëra anë, Prishtina, e cila e sheh Asociacionin si diçka pak më të fuqishme se një organizatë joqeveritare. Dhe Beogradi, i cili mund të dëshirojë ta shohë atë si një lloj organi republikan të Kosovës që do ta kishte të drejtën e vetos”, shton Beshiri

Çfarë diskuton Këshilli i Sigurimit për Kosovën?

Seancat e Këshillit të Sigurimit për Kosovën mbahen rregullisht, çdo gjashtë muaj. Në to prezantohet një raport që mbulon aktivitetet e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe situatën në këtë vend.

Misioni i OKB-së në Kosovë është themeluar në vitin 1999 me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Miratimit të rezolutës i ka paraprirë lufta në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë së atëhershme, me qëllim ndaljen e dhunës së forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Me këtë rezolutë është vendosur tërheqja e ushtrisë, policisë dhe administratës serbe nga Kosova.

Krahas misionit civil të OKB-së, mandat i është dhënë edhe misionit ushtarak të NATO-s, KFOR, për të garantuar sigurinë e popullatës në Kosovë./prishtinapress.net/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img