Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi, ka uruar me rastin e festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Përmes urimit të tij, Qerimi ka thënë që kjo ditë shënon një ndër festat më kuptimplote të kombit tonë.
Tutje Qerimi ka thënë që Dita e Flamurit Kombëtar paraqet njërën ndër datat më të rëndësishme në kalendarin kombëtar “të cilën tash e 110 vjet, e festojmë me shumë ngazëllim dhe krenari”.
“Ky muaj, i mbushur me data të shënuara për popullin shqiptar, përveç që na sjell momentet e festës, na bënë të rikujtojmë aspiratat, vlerat dhe vizionin tonë kombëtar. Ky vizion vështirë do të bëhej i mundur pa kontributin e pashoq të universiteteve. Edhe Universiteti i Prishtinës, për mbi pesë dekada që nga themelimi, duke krijuar kuadrot intelektuale dhe profesionale të vendit, i ka shërbyer vizionit për liri dhe shtet-ndërtim dhe mbetet i palëkundur në misionin e tij human, intelektual dhe institucional të përparimit dhe zhvillimit shoqëror, duke luajtur rol qendror në formësimin e vlerave shoqërore, plotësimin e nevojave dhe realizimin e aspiratave të tij”, ka thënë ai./Prishtinapress/