Rektori i Universitetit të Prishtinës e ka vendosur në rend dite punësimin e kandidates Albana Berisha Qehaja në pozitën profesor asistent në Fakultetin Ekonomik, edhe pse Këshilli i këtij fakulteti e ka refuzuar.
Ky anashkalim i institucionit përgjegjës nga rektori është bërë për të favorizuar kandidaten, e cila është mbesa e prorektores së tij në menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës, Mihane Berisha Namani. Prorektorja për Financa, Berisha Namani, e ka vajzë të vëllait kandidaten Albana Berisha Qehaja. Raporti hallë-mbesë nuk parashihet nga UP si nepotike, përkundër se në shumë institucione në botë është e ndaluar.
Problemi në rastin e familjes Berisha është se halla është prorektorë, ka ndikim direkt në proces dhe e përdor atë për ta favorizuar mbesën e saj. Ky nuk është rasti i parë i nepotizmit në Universitetin e Prishtinës, por është hera e parë që rektorati ka vënë dorë në procesin e rekrutimit për të favorizuar kandidaten familjare.
Në një deklarim televiziv, rektori ka deklaruar se nuk e njeh kandidaten. Por, mbesa e prorektores që është përzgjedhur nga vetë ai në ekipin menaxhues, zor se mund të jetë e panjohur, kur edhe çështjen e avancimit të saj e ka mediatizuar për ta përdorur si presion publik. Organizata studentore dhe OJQ kanë paralajmëruar aksione për të protestuar për rastin më të fundit të nepotizmit në Universitetin e Prishtinës.