Site icon PrishtinaPress

Rekordmeni Agushi: Vetëm ministri Gashi më përkrahu për synimet e mia të reja

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka zhvilluar sot një takim me rekordmenin e shumëfishtë botëror, Agim Agushi, njëherësh mbajtës i shumë rekordeve Guinness.

Ministri Gashi theksoi se Kosova është e privilegjuar dhe e nderuar që e ka një rekordmen siç është Agim Agushi. Të dy diskutuan për përkrahjen që do të japë MKRS-ja për arritjen e synimeve të reja të Agushit drejt rekordeve të reja, ashtu siç Ministri Gashi e vlerësoi se shteti e qeveria do t’i gjenden përkrah Agimit në arritjet e reja të tij.

“Shteti dhe qeveria do t’i gjenden përkrah Agimit drejt arritjes së synimeve të tija të reja. Aty ku është Agimi do të jemi edhe ne përkrah tij”, tha ministri.

Nga ana e tij, rekordmeni me 20 vjet përvojë sportive, Agim Agushi, bëri publik lajmin se Kosovës i ka sjellë rekordin e katërt të librit Guinness në disiplinën ‘Veshje-zhveshje e fanellës sportive duke zhongluar me top në kokë duke qëndruar në një hapësirë në vetëm një metër katror’.

“Për 1 orë e 12 minuta e 30 sekonda kam zhongluar me top në kokë duke arritur një rekord të cilin për herë të parë Selia e Librit të Guiness-it e fut në agjendën e vet”, u shpreh Agushi duke njoftuar për përvojën e tij dhe ofruar informata për Librin Guinness, si një ndër librat më të njohur dhe më të shitur në botë.

Agushi sqaroi se ka kërkuar që nga 2014-ta një kërkesë zyrtare nga institucionet e Kosovës që në emër të shtetit të Kosovës t’i kërkohet Emirateve të Bashkuara Arabe që të lejojnë shfrytëzimin e ndërtesës më të lartë në Botë Burj al Khalifa në Dubai që të vendoset një rekord i ri nga Agushi, duke zhongluar me top në kokë ngjitje dhe zbritje në të 211 katet e ndërtesës për një kohë më të gjatë se 3 orë.

“Për fat të keq, deri më 2019, kam trokitur në çdo derë, por nuk e kam gjetur përkrahjen e askujt që t’i shkruaj pesë rreshta kërkesë që të kërkoi nga Dubai të lejojë shfrytëzimin e kësaj ndërtese. Doli ministri Gashi të cilin e falënderoj shumë, ma realizoi këtë ëndërr që 5 vite që po e pres, duke e dërguar kërkesën në Dubai dhe tani po presim vetëm datën e konfirmimit”, tha Agushi.

Agushi premtoi se do t’i sfidojë edhe 10 rekorde Guinness.

Ministri theksoi se “ne si institucione e kemi bërë punën tonë ndërsa meritor për të gjithë këto arritje është vet Agushi, ndonëse me plot sfida rrugës e pa mbështetje, por tani ai do të ketë partner MKRS-në e cila do të jetë me të në rrugëtimin e tij”.

Exit mobile version