Dje u publikoi Raporti i Komisionit Evropian, i njohur si Raporti i Progresit, ku Kosova vlerësohej se ka bërë progres të limituar në shumë fusha. Në raporton, theksohej se është bërë progres i kufizuar edhe në adresimin e rekomandimeve nga raporti paraprak. Sigurisht, pushteti dhe opozita kanë mendime të ndryshme e qasje të kundërta në leximin e gjetjevetë Raportit të Progresit. Si u lexua Raporti i KE-së?
Në një konferencë të përbashkët me Tomas Szunyogun, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, theksoi se disa arritje do të duhej të vlerësoheshin më shumë.
“Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike, të cilat është dashur të theksohen dhe vlerësohen më shumë në këtë raport, meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike dhe për më tepër janë rekomanduar në raportin e vitit të kaluar.” – vlerësoi Bislimi.
Lexim më ndryshe ka opozita. Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, Raportin e Progresit e quajti si regres.
“Lexim i pakëndshëm. Kjo është Kosova nën masat e B.E, sipas raportit të Komisionit Evropian.
Regres. Ose ( rrallë ) pak progres, në rastin më të mirë.” – shkroi ajo.
Jehona Lushaku, zyrtare e lartë e LDK-së, vlerësoi se në raportin e KE-së janë listuar një varg vërejtjesh për Kosovën në të gjitha fushat.
“U pa që ka një shprehje që është emërues i përbashkët i progresit në Kosovës, progres në thojza, e ajo është progresi i limituar, e që është shkalla më e ulët. Dhe progres i limituar është shënuar në të gjitha fushat, edhe në ato të cilat Kurti.” – ka thënë ajo.
“Nëse analizohet cka thuhet për korrupsion nga viti 2020, ka shqetësim më të madh të Komisionit Evropian për sa i përket luftimit të korrupsionit. Ata e kritikojnë qeverinë përgjatë viteve, sidomos këtë vit, që s’është plotësuar legjislacioni për luftim të korrupsionit.” – shtoi ajo.
Çka shkroi Raporti i Progresit?
Në Raportin e Progresit theksohej se ka pasur përparim të kufizuar në adresimin e rekomandimeve nga raporti i vitit të kaluar.
“Progres i kufizuar është bërë në adresimin e rekomandimeve nga raporti paraprak. Shqetësimet mbesin ndaj sulmeve fizike dhe kërcënimeve, fushata shpifëse publike dhe gjuhë e urrejtjes drejtuar gazetarëve. Jo të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave janë raportuar te autoritetet, sidoqoftë, në vitin 2022 është parë një rritje e lehtë në numrin e rasteve të raportuara.” – shkruhej në raport.
Po në këtë raport, përmendet edhe Ligji i ri për Pagën Minimale, ndërsa paraqitet rreziku fiskal i përformancës financiare të ndërmarrjeve publike.
“Përfitimet sociale mbeten në shënjestër të dobët. Kuvendi miratoi ligjin e ri për pagën minimale, i cili shkëputi nivelin e pensioneve të veteranëve të luftës nga paga minimale. Performanca financiare e ndërmarrjeve publike paraqet rrezik fiskal.” – thuhet në Raportin e Progresit.
Në këtë raport, u përmenden edhe sulmet ndaj gazetarëve vitin e kaluar.
“Në vitin 2022, Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë raportoi për 33 raste të frikësimit, kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë medialë, rritje kjo nga 29 rastet që u raportuan në vitin 2021. Nga këto, 19 raste u klasifikuan si kërcënime dhe ngacmime ndaj personave fizikë, gazetarëve, tetë prej tyre ishin sulme fizike, gjashtë ishin sulme ndaj mediave, organizatave mediale dhe/ose ndaj shoqatave të gazetarëve.” – thuhet në Raportin e KE-së.