Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës e që jetojnë në Kosovë dhe kudo tjetër, që të regjistrohen ata dhe provat e tyre.
Përmes një adresimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se çdo ditë po zbrazen shkollat, shtëpitë dhe vendbanimet e shqiptarëve në Kosovën Lindore.
”Prej 1 deri më 31 tetor mbahet regjistrimi i njerëzve dhe i pronave në shtetin e Serbisë. Ju bëj thirrje të gjithëve regjistrohuni! A e dini pse? Çdo ditë e ma shumë po zbrazen shkollat, shtëpitë, vendbanimet. Trojet e juaja po mbesin shkret. Mos lejoni!”, ka apeluar Haradinaj.
Adresimi i plotë:
Të dashur bashkëkombas shqiptarë, në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe në vendbanimet e tjera në Serbi apo edhe ju që i keni lëshu vatrat dhe jetoni në vendet e tjera apo në Kosovë. Prej 1 deri më 31 tetor mbahet regjistrimi i njerëzve dhe i pronave në shtetin e Serbisë. Ju bëj thirrje të gjithëve regjistrohuni! A e dini pse? Çdo ditë e ma shumë po zbrazen shkollat, shtëpitë, vendbanimet. Trojet e juaja po mbesin shkret. Mos lejoni! Ju lutem kthehuni gjithë, regjistrohuni të gjithë! Regjistrohuni edhe për hatër të brezave që vinë. I juaji çdoherë!