Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngritur edhe një herë alarmin për çështjen e klimës.
Sipas Antonio Guterres, ndryshimet klimaterike janë tashmë jashtë kontrollit. Deklarata vjen në një kohë kur raportohet për regjistrimin e temperaturave rekord.
Shkencëtarët kanë rënë në një mendje se kriza e klimës është futur tani në ujëra të rrezikshme dhe se nxehtësia nga ngrohja globale antropogjene e kombinuar me rikthimin e El Niños do të çojë në temperatura rekord.
“Nëse vijojmë të vonojmë marrjen e masave bazike që janë të nevojshme, mendoj se po shkojmë drejt një situatë katastrofike, siç duket edhe nga dy rekordet e temperaturave të regjistruara së fundmi”, tha Guterres.
Të martën, temperatura mesatare globale ishte 17.18 gradë celsius, sipas të dhënave të gjeneruara nga Qendra Kombëtare e SHBA-së për Parashikimin e Mjedisit, duke thyer kështu rekordin prej 17.01 gradë celsius të vendosur të hënën.
Për periudhën shtatëditore që përfundon të mërkurën, temperatura mesatare ditore ishte 0,04 gradë celsius më e ngrohtë se çdo javë tjetër në 44 vitet e regjistrimit, sipas të dhënave nga Universiteti i Maine’s Climate Reanalyzer.
El Niño pritet të shkaktojë rekorde të reja temperaturash.