0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Refuzohet sërish padia e Naser Rafunës, me të cilën kërkoi të sistemohet në vendin e punës si mësimdhënës në UP

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim e ka refuzuar si të pabazë padinë e paditësit Naser Rafuna, me të cilën kishte kërkuar që të anulohet si i kundërligjshëm vendimi i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të detyrohet që ta sistemojë në vendin e punës si mësimdhënës në Fakultetin e Arteve për lëndën Diksion.

Sipas aktgjykimit të marrë më 25 maj 2023, Gjykata ka vlerësuar se paditësi ka dështuar që të vërtetojë shkeljet ligjore gjatë marrjes së vendimit të të paditurës më 29 dhjetor 2014 në bazë të së cilit Senati i UP-së kishte vendosur që të mos e avancojë/zgjedh si mësimdhënës asnjërin nga kandidatët dhe që të rishpallet konkursi për lëndën Diksion sipas procedurave të rregullta ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykim, thuhet se sipas nenit 80 të Ligjit të Punës, Gjykata vetëm në rastet kur konstaton se ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit është joligjore, atëherë mund të detyrojë të paditurën që ta rikthejë të punësuarin në vendin e tij të punës dhe të urdhërojë kompensimin e të gjitha pagave dhe përfitimeve tjera të humbura gjatë kohës së largimit të paligjshëm nga puna.

“…Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me ndërprerje të marrëdhënies së punës andaj gjykata nuk mund ta detyrojë të paditurën që të themelojë marrëdhënie pune me paditësin me të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës dhe t’i jap thirrjen Profesor/Asistent..”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, kërkesa e paditësit Rafuna që gjykata të detyrojë të paditurën që ta sistemojë të njëjtin në vendin e punës si mësimdhënës për lëndën Diksion është në kundërshtim me nenin 173 të Senatit të UP-së, pasi që gjykata nuk mund të obligojë të paditurën që paditësin ta emërojë si Profesor/Asistent, sepse një kompetencë të tillë e kanë vetëm bartësit arsimit të lartë.

Në vendim thuhet se pasi që Gjykata bëri vlerësimin e secilës provë veç e veç, erdhi në përfundim se në këtë çështje juridike-kontestimore duhet vendosur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.

Në aktgjykim, thuhet se lidhur me vendimin kontestues, Gjykata gjeti se i njëjti është marrë në përputhje me dispozitën e nenit 173 të Statutit të UP-së.

Gjykata ka vlerësuar se vendimet e Senatit nuk kanë rol afirmativ, por kanë rol përfundimtar lidhur me emërimin e personelit akademik siç është përcaktuar në nenin 173 të Statutit të UP-së, andaj bazuar në këtë gjykata ka vlerësuar se vendimi i Senatit, i datës 29 dhjetor 2014 është i ligjshëm.

Ndryshe, paditësi Naser Rafuna përmes padisë së 7 marsit 2015, ka kërkuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti i Arteve. që të anulohet vendimi i Senatit për moszgjedhjen e tij në pozitën Profesor/Asistent në lëndën Diksion.

Në padi thuhet se paditësi Rafuna, ka aplikuar për këtë pozitë në thirrjen e mësimdhënësit në Fakultetin e Arteve për lëndën Diksion. Komisioni recensues, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të detajuar të dokumentacionit ka konstatuar se paditësi i plotëson kushtet e parapara me konkurs për zgjedhje në thirrjen e mësimdhënësit, duke vlerësuar edhe arritjet në punë artistike, mirëpo vlerësimi pozitiv me përparësi të caktuar jepet për kandidatin tjetër edhe pse nuk plotësonte kushtet e kërkuara me konkurs.

Tutje, në padi thuhet se Këshilli i Fakultetit të Arteve në mbledhjen e mbajtur nuk aprovon vlerësimin e Komisionit Recensues dhe i propozon Senatit të UP-së që paditësi të zgjidhet mësimdhënës në lëndën Diksion.

Mirëpo, Senati i UP-së me vendimin e datës 29 dhjetor 2014, ka vendosur që të mos e avancojë për mësimdhënës asnjërin nga kandidatët që kishin konkurruar duke përfshirë edhe paditësin për shkak se ka mospërputhshmëri ndërmjet vlerësimit të Komisionit Recensues dhe vendimit të Këshillit të Fakultetit të Arteve.

Ndaj këtij vendimi, paditësi Rafuna në afat të caktuar ka ushtruar ankesë, mirëpo pasi që e paditura nuk është përgjigjur ndaj ankesës, i njëjti ka ushtruar këtë padi.

Në padi tutje, thuhet se më 13 janar 2015 Senati i Universitetit të Prishtinës ka nxjerrë vendim sërish për publikimin e konkursit për plotësimin e vendit të njëjtë të punës, mësimdhënës në Fakultetin e Arteve të UP-së për lëndën Diksion.

Ndryshe, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila ka pranuar ankesën e paditësit Naser Rafuna si të bazuar dhe ka vendosur që lëndën ta kthejë në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo pasi që, Themeloja kishte refuzuar si të pabazuar kërkesë padinë e paditësit, me të cilën i njëjti ka kërkuar që të sistemohet në vendin e punës si mësimdhënës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës për lëndën Diksion.

Kundër këtij aktgjykimi, paditësi ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, duke kërkuar që të ndryshohet i njëjti apo lënda të kthehet në gjykatën e shkallës së parë për rishqyrtim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve ankimore, kishte gjetur se ankesa e paditësit është e bazuar dhe se në procedurën e zhvilluar para shkallës së parë nuk është bërë vlerësimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img