2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Refuzohet propozimi i Xhavit Halitit për caktimin masës së sigurisë ndaj Haki Abazit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Xhavit Halitit, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për caktimin e masës së sigurimit, përmes së cilës ka kërkuar që të paditurit Haki Abazi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, t’i ndalohet publikimi i çfarëdo deklarate, prononcimi apo informacioni dhe t’i fshijë të gjitha deklaratat nga portalet ndaj Halitit.

Haliti ka paditur Abazin për shpifje dhe nga i njëjti po kërkon 200 mijë euro.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, i cili rezulton të jetë marrë më 5 prill, thuhet se gjykata pas shqyrtimit me kujdes të propozimit për caktimin e masës së sigurimit, përgjigjes në propozim si dhe pas analizimit të provave materiale, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, ka ardhë në përfundim se propozimi i propozuesit për caktimin e masës së sigurimit në këtë fazë të procedurës është i pabazuar.

Kjo pasi që sipas gjykatës, propozuesi me asnjë provë nuk e ka arsyetuar rrezikun që i kanoset Halitit për realizimin e të drejtës së tij, të kërkuar sipas kërkesëpadisë në emër të dëmit jomaterial për shpifje.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se me nenin 297 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore është përcaktuar se: “Masa e sigurimit mund të caktohet në qoftë se propozuesi i sigurimit e bën të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të drejtës subjektive të tij dhe në qoftë se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së këtillë pala kundërshtare do të mund të pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do ta ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit”.

Pra, mbi këtë bazë gjykata ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së sigurisë.

Në aktvendim thuhet se gjykata ka vendosur në këtë mënyrë, duke mos paragjykuar çështjen kryesore dhe një vendim i tillë vlen derisa gjykata të vendos në mënyrë meritore mbi kërkesëpadinë.

Ndryshe, sipas padisë së 7 qershorit 2021, paditësi Xhavit Haliti ka paditur Haki Abazin për shpifje dhe ka propozuar lëshimin e masës së sigurisë.

Në padi thuhet se më 27 maj 2021, i padituri Abazi përmes “Kanal 10” në emisionin “Prime Time”, kishte deklaruar: “Xhavit Haliti duhet të japë llogari për vrasjet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë”, “Duke e ditur se kush është Xhavit Haliti sigurisht se me qef do ta kisha bërë këtë deklaratë në prani të tij. Xhavit Haliti është njeri që e ka përcjellë luftën nga Rogneri, ka probleme që janë të ditura për keqpërdorimet e fondit “Vendlindja thërret”. Dihet roli i tij në proceset e eliminimit fizik të kundërshtarëve të tij politik gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë. Janë raportet e KFOR-it. Le të del Xhavit Haliti të thotë për keqpërdorimin e një euroje të vetëm. Po flas me raportin KFOR. Ai mund të flasë për furnizimin me armë dhe ndërprerjen, ku janë vrarë ushtarë në prezencë të njerëzve e ku kam qenë edhe unë. Le të del me një dëshmi të vetme. Unë po i them se nuk duhet të keqpërdorej komisioni për skandalizim të çështjeve për shkak të inateve të tij. Dhe çfarë mund ta pres në të ardhmen në proceset gjyqësore. Z. Haliti është ai që siç e thotë edhe vet se e ka menaxhuar luftën. Si është vrarë Ahmet Krasniqi, çfarë ka ndodhur me Ilir Konushevcin. Për krimet duhet të përgjigjen njerëzit që i kanë bërë dhe që kanë qenë në hiearkinë, Enver Maloku është vdekur, Xhemajl Mustafa është i vrarë”.

Sipas padisë, thuhet se këto deklarata nga ana e të paditurit Abazi, janë bërë me qëllim që përmes shpifjes të diskreditojë reputacionin e paditësit Haliti si deputet i zgjedhur, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe me deklaratat e tilla i padituri ka shkelur dispozitat e Ligjit 02/L-65 Kundër Shpifjes dhe Fyerjes neni a, e paditësit 1 pika a).

Mbi këtë bazë, paditësi Haliti kërkon nga gjykata të aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij dhe të obligohet i padituri Abazi që në emër të kompensimit të dëmit jomaterial t’ia kompensojë shumën prej 200 mijë euro me kamatën ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet nga marrja e aktgjykimit.

Po ashtu, me padi kërkon që të obligohet i padituri që në të paktën 3 gazeta ditore në të gjitha televizionet kombëtare të bëjë kërkimfalje për shpifje ndaj paditësit Haliti.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi Haliti ka kërkuar të aprovohet kërkesa e paditësit dhe të caktohet masa e sigurisë përmes së cilës i ndalohet të paditurit publikimi i çfarëdo deklarate, prononcimi, njoftimi ose informacioni në lidhje më paditësin deri në sjelljen e një aktgjykimi nga gjykata.

Lidhur me këtë sipas padisë, paditësi ka kërkuar që të caktohet edhe masa e sigurisë përmes të cilës urdhërohet i padituri të fshijë të gjitha deklaratat në lidhje me Xhavit Halitin, të publikuara në mediet e shkruara, në rrjete sociale  dhe t’i fshijë deklaratat e tij, të cilat veçse janë publikuar ose transmetuar deri në sjelljen e një aktgjykimi nga gjykata.

Sipas përgjigjes në propozimin për lëshimin e masës së sigurisë të 7 shkurtit 2022, thuhet se kundër-propozuesi Haki Abazi ka konsideruar se padia dhe propozimi për caktimin e masës së sigurisë janë plotësisht të pabazuara dhe të paargumentuara, pasi që këto lidhen me përplasjen që është pjesë e një shkëmbimi të filluar në prezencë të medieve në takimin e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme ku propozuesi Haliti është anëtar ndërsa kundër-porpozuesi Abazi është kryetar në këtë komision.

Lidhur me këtë, thuhet se në këtë takim të komisionit të lartcekur që është mbajtur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, propozuesi Haliti para më shumë se 10 medieve prezente, ka akuzuar kundër-propozuesin Abazi duke thënë “Ju e keni shikuar luftën nga larg dhe jeni laguar nga të tjerët dhe keni vjedhur fondet e Rockfellerit”, gjë që ka nxitur përplasjen mes dy palëve në fjalë.

Po ashtu, sipas përgjigjes në propozim, thuhet se kjo lidhet me deklarimet që thuhet se janë bërë në “Prime Time” që janë çështje të ngritura në formë të pyetjeve, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë raportit të KFOR-it/NATO-s të bashkëngjitur artikujve të gazetave ndërkombëtare si New York Times, The Guardian, The Le Monde si dhe shumë analiza e artikuj të gazetave vendore.

Andaj, sipas përgjigjes në propozim, kundër-porpozuesi Abazi kërkon që t’i refuzohet si i pabazuar propozimi për caktimin e masës së sigurisë të propozuar nga Haliti dhe të detyrohet i njëjti që t’ia paguajë edhe shpenzimet procedurale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img