Zajiq akuzohet se ka marrë pjesë në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës.
Në vendimin që e ka siguruar kallxo.com thuhet se ka elemente te mjaftueshme që e vërtetojnë dyshimin e bazuar se Millorad Zajiq ka kryer veprën për të cilën akuzohet dhe se kjo duhet te vërtetohet në shqyrtim kryesor.
“Gjykata gjen se përshkrimi i gjendjes faktike të aktakuzës përmban elementet e mjaftueshme inkriminuese të të pandehurit, megjithatë vërtetimi i kësaj vepre penale duhet të vlerësohet në shqyrtim gjyqësor me administrimin e provave“, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Sipas vendimit të Gjykatës, Prokuroria ka prezantuar prova të mjaftueshme që e vërtetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale.
Millorad Zajiq është deklaruar i pafajshëm në lidhje me aktakuzën.
Ai akuzohet se kishte marrë pjesë në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës në qershor të vitit 1998.
Në aktakuzë thuhet se Zajiq e kishte ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.
Sipas aktakuzës, ai ishte parë nga fqinjët derisa shkarkonte nga makina e tij Zastava armë ndërsa në mbrëmje i vetëm kishte nisur të qëllonte në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.
Nga këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku.
Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit Xhemë Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.