Site icon PrishtinaPress

Refuzohet ankesa e Partisë Socialiste të Serbisë, Shaip Kamberi mbetet deputet – reagon Ivica Daçiq

Në mungesë të ndonjë dëshmie ligjore nga Partia Socialiste e Serbisë për pretendimet e tyre për parregullsi në zgjedhjet në Tërnovc të Madh, komuna e Bujanocit, pas zgjedhjeve të 3 prillit, Komisioni Komunal Zgjedhor i Bujanocit sot vendosi të refuzojë ankesën e socialistëve.

Dhe për këtë, Shaip Kamberi, kreu i koalicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka thënë se shpreson që “ankuesit do ta kuptojnë situatën, se nuk ka pasur parregullsi dhe nuk do ta vonojnë të gjithë procesin”.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të përsëritura në Tërnovc të Madh, ai koalicion i shqiptarëve duhet të ketë një mandat në Kuvendin e Serbisë, gjë që do të shkaktonte humbjen e një mandati nga Partia Socialiste e Serbisë.

“Epo, është e qartë se socialistët po humbasin një mandat për këtë, dhe shpresoj që zvarritja e tyre të mos jetë e motivuar etnikisht. Mbi 13.000 votat që mori lista jonë është një tregues i qartë se shqiptarët duan integrim. Anulimi eventual i zgjedhjeve do të jetë sinjal për ne se ka forca në Serbi që i shqetëson kjo”, ka thënë Shaip Kamberi.

Po sipas mediave në Serbi, KKZ-ja në përbërje të përhershme dhe të zgjeruar votoi me rezultat tetë me pesë kundër ankesës së socialistëve.

Ky vendim i KKZ-së në Bujanoc i hapi rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve më 3 prill dhe më pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Serbisë, edhe pse SPS-ja ka të drejtë ankese në Komisionin Zgjedhor të Serbisë brenda 72 orëve.

Dhe lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Po, do të ankohemi për vendimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Bujanocit, i cili na e ka refuzuar kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnovc të Madh për shkak të parregullsive zgjedhore”, ka thënë Daçiq.

Exit mobile version