Site icon PrishtinaPress

Reforma zgjedhore: Presidenti nga populli, listatë e hapura

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi nëse synon një mandat të dytë mund t’i nënshtrohet besimit të drejtpërdrejt të qytetarëve.

Kjo pasi ekipet punuese të reformës zgjedhore të iniciuara nga vetë Thaçi kanë propozuar që Presidenti të zgjedhjet drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Lajmi.net ka mësuar se ekipet punuese kanë propozuar që listat e kandidatëve për deputetë të mbesin të hapura dhe bartës i listës të jetë lideri i partisë.

Por, në të ardhmen qytetarët e Kosovës nuk do të mund të votojnë më shumë se një kandidat në listën për deputet, pasi nga propozimet e dhëna është që të votohet vetëm një kandidat.

Ndërsa sipas propozimeve të grupeve punuese që ka siguruar lajmi.net pragu i kalueshmërisë për parti politike për t’u bërë pjesë e Kuvendit është 5 për qind, ai për koalicione 7.5, kurse për kandidatë të pavarur 2.5 për qind.

Dy ekipet punuese për reformën zgjedhore tashmë kanë dorëzuar edhe tek presidenti propozimet e tyre të cilat shumë shpejt pritet të dërgohen në Kuvend.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se tashmë mbetet në vullnetin e partive politike dhe deputetëve që t’i miratojnë këto propozime.

“Ekipi im ka kryer punën e vet në përpilimin e propozimeve konkrete për reformën elektorale dhe mbetet në vullnetin tuaj politik, deputetë të nderuar, që propozimet që kanë rrjedhur nga konsultat e përbashkëta me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, shoqërinë civile, mekanizmat ndërkombëtarë, etj., të shndërrohen në vendime të Kuvendit të Kosovës”, kishte thënë Thaçi në fjalimin e tij vjetor në Kuvend.

Procesi i reformës zgjedhore i nisur nga presidenti Hashim Thaçi është bojkotuar nga partitë opozitare, të cilat janë shprehur se reforma zgjedhore duhet të bëhet nga qeveria e re./ Lajmi.net/.

Exit mobile version