0.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Refleksion pas intervistës së Mehmet Locit/ Skender Berisha tregon se si u maltretua në zyrën e UDB-së pas katër vjetësh burgim

Ish i burgosuri politik, Skender Berisha ka reaguar pas intervistës së Mehmet Locit dhënë mbrëmë në TV.

Berisha ka treguar se si u maltretua në zyrën e UDB-së në Pejë pas katër vitesh burgim në burgun e Qarkut të Pejës.

Postimi i plotë i Berishës:

Më 9 tetor 1986, jam liruar nga burgu i Qarkut të Pejës, pas katër vitesh burgim, në këtë burg. Në ora 14:30, të asaj dite, gardiani e hapi derën dhe më tha: Skënder Berisha, po të thërrasin “nalt”. Unë prisja lirimin nga burgu, por, erdhi ftesa, për bisedën “nalt”, kjo ishte, bisedë në zyrat e UDB-së që kamufloheshin si Drejtorati i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në Pejë.

Dola nga dhoma dhe gardiani më përcolli deri te Zyra e UDB-së sa më kujtohet nr. 32. Aty më pret në takim, ulur, pranë tavolinës, Mehmet Loci.

Ato që mi ka thënë, për atë gjysmë ore, janë tepër të ulëta, më të rënda se hetimet para dënimit, më fyese e shumë më goditëse pas hetimeve dhe katër vitesh qëndrim i izoluar në burg hetues. Kurrë në jetë nuk kam pësuar fyerje të tilla. I përjetova shumë rëndë. Koha tepër e gjatë i izoluar, më kishte bërë më të fuqishëm, por, sipas tyre pritej që izolimi i gjatë ta kishte arritur efektin e vet. Ishte plotësisht e kundërta. Serbez hyra në takim e serbez dola, por, fjalët e tij, përtej çdo imagjinate nga poshtërsia, nuk i harroj kurrë.

Gjeneratat e reja, edhe nëpërmjet intervistës së sontme të Mehmet Locit, duhet ta kuptojnë se çfarë kundërshtarësh të rrezikshëm patëm ne – paraardhësit e tyre…sa kundërshtarë të rafinuar dhe me prepotencë të llahtarshme, të përgatitur dhe të armatosur deri në dhëmbë për ta mirëmbajtur Serbinë në Kosovë dhe Jugosllavinë si batanije të serbosllavisë. Edhe sonte, Loci ishte në elementin e vet.

Jam i lumtur që pas 10 qershorit 1999, nuk e kam menduar hakmarrjen ndaj atyre që më torturuan, para, gjatë dhe pas burgut, sepse, liria e Kosovës ishte hakmarrja ime. Idealet tona të fuqizuara edhe pas torturave të “Mehmet Locëve”, u trupëzuan dhe njëjtësuan me idealet shekullore për çlirim. Këto ideale u realizuan nga UÇK-ja e cila ishte domosdo e kohës, domosdo e një populli që nuk e duronte më robërinë.

Mirë që flet secili, qoftë edhe kur dihet se gabon. Historia i detyroi shumë njerëz ta shohin se ishin në anën e gabueshme, prandaj, jemi në Kosovën e lirë, jemi duke ndërtuar shtet me vlera demokratike dhe drejtësia me ligj, si ai për lustracionin, duhet të veprojë që të mos kontaminohet as hapësira demokratike e as opinioni me ideologjitë që na pinë gjakun me pambuk për gati një shekull.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img