0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Referendumi në Turqi, neootomanizëm apo rritje e autokratëve në Ballkan?

Referendumi në Turqi mund të nxisë rritjen e demokracive jo liberale dhe shtimin e liderëve autokratë në rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën, posaçërisht përmes shtrirjes së ndikimit jo vetëm politik por edhe atij ekonomik të Turqisë në rajon, thonë njohës të politikave ndërkombëtare.

Sipas tyre vazhdimi i përplasjeve të politikës aktuale turke me Evropën do të mund të shtojë edhe frymën ‘anti-evropiane’ në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ndikimi turk është ende i madh.

Një referendum, i zhvilluar të dielën në Turqi, me të cilin shtohen përgjegjësitë dhe pushteti i presidentit të Turqisë, e nxori fitues me mbi 51 për qind të votave presidentin aktual Recep Tayyip Erdogan, që nxiti prej kohësh këtë hap.

Me rezultatet e referendumit, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ‘Turqia po i jep fund periudhës së një shteti properëndimor të Ataturkut’ dhe kjo, thotë ai, do të ketë efekte në Ballkan ‘në pjesën që njihej dikur si pjesa evropiane e ish Perandorisë osmane ku ndikimi kulturor ka vazhduar edhe pas largimit të saj’.

“Mendoj se tani vazhdimi i politikës agresive ndaj Evropës, nga ana e presidentit aktual, do të çojë sinjale inkurajuese tek rrymimet islamike që ekzistojnë në Ballkan, tek të gjitha shoqëritë dhe shtetet e Ballkanit, ku ka një shumicë të konsiderueshme myslimane dhe ky do të jetë efekti i parë. Për pasojë mund të rris tendencat anti-evropiane në këtë pjesë të Evropës”, tha Hasani.

Kjo në mënyrë të pashmangshme, thotë Hasani, do të përfshijë Kosovën meqë ‘Turqia përgjithësisht ka pasur ndikim këtu për shkak të politikave të jashtme’.

“Me ardhjen në pushtet të partisë së Erdoganit, ne kemi parë se në mënyrë graduale ka pasur edhe reflektime në Kosovë në kuptimin se është parë si një fytyrë tjetër, si një imazh i islamit politik, një version i tij, që mund të kultivohet në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan”, tha Hasani.

Ndikimi i islamit turk në rajon dhe posaçërisht në Kosovë është theksuar kohë më parë nga David Phillips, nga Universiteti Columbia në New York, i cili pati deklaruar se ‘Turqia, përmes Agjencisë turke për zhvillim ndërkombëtar (TIKA), si dhe përmes ambasadës së saj në Kosovë, ka krijuar pozicion të fortë dhe të dukshëm, por agjenda e saj’, siç ka thënë ai, “nuk është që t’i ndihmojë kosovarët, por që ta promovojë islamin turk në Kosovë”.

Shtrirja e ndikimit turk në Kosovë, ka nisur prej para shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008, me hapjen e një numri shkollash fillore dhe të mesme dhe posaçërisht përmes rindërtimit të një numri xhamish, por ajo u shtua në vitet e para të pavarësimit të vendit, të cilën Turqia e njohu në mesin e shteteve të para.

Vetëm në një hark kohor prej 10 vitesh, ndërmjet viteve 2004 dhe 2014, Turqia thuhet se ka investuar në Kosovë mbi 360 milionë euro, ndërkohë që zyrtarisht thuhet se janë afro 700 kompani turke që veprojnë në Kosovë.

Tri fushat kryesore ku Turqia arriti të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, janë infrastruktura rrugore – përmes ndërtimit të autostradave; ajo ajrore – me marrjen me koncesion të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës dhe në fushën e energjisë – përmes investimeve në sistemin e distribuimit.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorrolli, i tha Radios Evropa e Lirë se referendumi në Turqi ‘mund të rris autoritarizmin në vendet e Ballkanit Perëndimor’.

“Kjo do të shkaktojë një valë të re të rritjes së demokracive jo-liberale dhe liderëve autoritarë në Evropë dhe pjesën tjetër të botës aty ku Turqia ka një lloj ndikimi dhe e manifeston patjetër këtë lloj ndikimi. Kjo veçanërisht mund të vërehet në Ballkanin Perëndimor në shtetet ku rritja e influencës turke bëhet kryesisht nëpërmjet ekonomisë”, tha Qorolli.

Sipas tij shtetet e Ballkanit Perëndimor ‘janë të varura ekonomikisht nga Turqia” që, siç thotë, ‘do të ngjallë reaksion zinxhiror tek liderët që i besojnë Erdoganit” dhe sipas tij, edhe politikave neootomane’.

“Kohët e fundit Turqia është bërë një magnet për njerëzit politikë të Ballkanit. Vendet e Ballkanit Perëndimor sigurisht në aspektin politik do të jenë të varura edhe më tutje nga ekonomia turke sepse shtetet e perëndimit po hezitojnë të investojnë në shtetet e Ballkanit perëndimor dhe në Kosovë”, tha Qorolli.

Sidoqoftë, referendumi turk sado që mund të ndryshojë gjithë zhvillimet në vetë Turqinë do të ndikojë, thonë njohësit e zhvillimeve politike, mbi ndryshimet në qasjen dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit që synimet megjithatë i ka të orientuara drejt integrimeve evropiane. /REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img