1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Referendum konsultativ për marrëveshjen eventuale me Serbinë

Kosova mund të organizojë një referendum konsultativ në rast të arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë për normalizimin e raporteve, thonë njohësit e sistemit juridik-kushtetues.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, i cili ka qenë anëtar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova ka nevojë të ketë Ligjin për referendum, si formën më të drejtpërdrejtë të demokracisë që përfshin qytetarët në çështje të caktuara.

“Referendumi mund të shërbejë vetëm si një referendum konsultative apo fakultativ dhe nuk ka asnjë pengesë që Kuvendi i Kosovës për cilëndo çështje nga kompetenca e veta të mund të shpall një referendum. Por, referendumi në këtë rast nuk ka karakter detyrues, ai është vetëm konsultativ sepse vendimmarrja duhet të kthehet në rrugën kushtetuese, do të thotë votimi nga Kuvendi i Kosovës”, tha Bajrami.

Ai tha se nëse në të ardhmen dëshirohet që me referendum të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato eventuale me Serbinë, paraprakisht do të duhej të ndryshohej edhe Kushtetuta.

“Në këtë rast, referendumi do të ishte i ngjashëm me atë që u mbajt për ndryshimin e emrit (rasti i Maqedonisë së Veriut). Do të ishte vetëm një matje e vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kurse vendimmarrja duhet të kthehet në mënyrë kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Bajrami.

Profesori Bajrami thekson se miratimi i Ligjit për referendumin është i detyrueshme për të zbatuar atë në praktikë.

“Ky ligj do të përcaktonte procedurat e zbatimit të referendumit, çështjet e nivelit lokal dhe qendror, që mund të hedhën në referendum, praktikisht do ta bënte të mundshëm edhe zbatimin apo aplikimin e një neni të Kushtetutës që parasheh referendumin si kategori vendimmarrëse”, tha Bajrami.

Sipas Bajramit, nëse dëshirohet të ndërrohet ndonjë nen kushtetues për kompetencat e Kuvendit, atëherë paraprakisht ndryshimi duhet të bëhet në Kushtetutë, që referendumi të marrë karakter detyrues.

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në Kushtetutën e Kosovës, në nene të caktuar përmendet çështja e referendumit, dhe siç thotë ajo, Kuvendi mund ta shpallë një referendum për çështje të caktuar, por paraprakisht duhet të ketë edhe Ligjin përkatës për referendum.

Por, Haxholli thekson se për çështje të interesit vital, pa ndryshimin e Kushtetutës, nuk mund të ketë referendum.

“Nëse marrëveshja finale me Serbinë, parasheh ndryshim të kufijve të komunave siç po flitet tash për këto skenarët e korrigjimit të kufinjve, atëherë me referendum kjo nuk mund të bëhet, pasi që Kushtetua e ndalon. Pa ndryshimin e Kushtetutës nuk mund të mbahet referendum për çështje të legjislacionit vital”, tha Haxholli.

Kuvendi i Kosovës në nëntor të vitit të kaluar në parim ka miratuar Projektligjin për referendum në nivel të shtetit.

E drejta e referendumit parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, neni 81 i Kushtetutës e ndalon të drejtën e referendumit për disa ligje me interes vital, siç janë: ligjet që ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare; ligjet që zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë; ligjet për përdorimin e gjuhëve; ligjet për zgjedhjet lokale; ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare; ligjet për arsimin; ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img