0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Reduktohet prania e KFOR-it në urën e Ibrit

Prania e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në urën e Ibrit në Mitrovicë është reduktuar pasditen e së shtunës.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë në terren, në urë kanë mbetur vetëm dy autoblinda të forcave italiane, ndërsa trupat çeke, të pranishme më herët, janë tërhequr.

Në pjesën e parë të ditës së shtunë, në urë ka pasur forca të shtuara të KFOR-it.

Ky mision nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it për arsyen e përforcimeve, por një pjesëtar i KFOR-it në vend të ngjarjes ka thënë se bëhet fjalë për një “operacion rutinor”.

Teksa të shtunën në urën mbi Ibër u pa numër i shtuar i KFOR-it, një grup i organizatave joqeveritare dhe i qytetarëve aktivistë në veri i bëri thirrje këtij misioni që “urgjentisht të vendosë postblloqe para institucioneve” që, siç tha, “ofrojnë shërbime për popullatën shumicë në veri”.

“Ne besojmë se vetëm veprimet e KFOR-it mund të garantojnë paqe dhe siguri në zonat serbe në veri të Kosovës, si dhe të ofrojnë hapësirë për një dialog politik nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i cili do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

“Përndryshe, vazhdimi i sjelljes së dhunshme të institucioneve të Kosovës do të sillte pasoja të pallogaritshme për jetën e serbëve në komunat me shumicë serbe dhe statusin tashmë të dëmtuar të Kosovës multietnike”, thuhet në komunikatë.

Rritja e pranisë së KFOR-it mbi urën mbi lumin Ibër ndodhi një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës.

Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ekzekutivi kosovar po ashtu është përballur me kritika kohëve të fundit nga bashkësia ndërkombëtare sepse ka shprehur synimin që ta hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i janë shprehur kundër hapjes së urës tani. KFOR-i dhe BE-ja kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po ashtu ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

KFOR-i ka prani të përhershme në urën mbi lumin Ibër. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img