Reduktimet e rrymës i kanë revoltuar qytetarët. Biznesët private dhe qytetarët po pengohen në kryerjen e punëve të tyre, për shkak të ndaljes së rrymës. Kanë shpërthyer reagimet e atyre që punojnë ‘online’, e që reduktimet po ua ndërpresin punën.
Në mes të gushtit, kanë nisur reduktimet, pasi KEDS njoftoi se më s’mund të importojë rrymë. Pas reagimeve për reduktimet që nisnin më 15 guisht, ndërhyri Qeveria, me një njoftim se do të merrnin rrymën e depozituar në Shqipëri. Por, kjo zgjati vetëm dy ditë. Reduktimet u rikthyen.
Ka ankesa, sidomos prej atyre që punojnë ‘online’ për dhe me organizata jashtë vendit, se po kanë vështirësi në kryerjen e detyrave të tyre, për shkak të ndërprerjes së rrymës.
Flutura Kusari, juriste e medias, ka shkruar në profilin e saj në Facebook, se ndërprerja e rrymës po i shkakton probleme në baza ditore, në punën që ajo bën.
Të mërkurën ajo ka treguar rryma i ka ndërprerë një prezantim, që e kishte përgatitur prej ditësh.
“Edhe qato mundesi te punes qe i kemi siguru me mundi te madh, Kosova t’i rrezikon. Muj vetem me i paramendu humbjet qe ia shkakton sektorit privat”, ka shkruar Kusari.
Inxhinieri Ermal Sadiku, i cili drejton kompaninë “LinkPlus” ka publikuar një email që e kanë marrë nga një klient. Ai e pyet nëse njoftimi për ndërprerje të rrymës në Kosovë do ta afektonte punën e tyre.
Sadiku ka shkruar se ai u kërkon klientëve në Evropë që t’i bësojnë kompanisë e cila vepron në Kosovë, por që dalin pengesa si kjo e rrymës, për të cilin klienti ka shfaqur shqetësim.
Ndërsa, një ditë pasi nisën reduktimet, kompania e mishit “Meka Halal Food”, ka njoftuar konsumatorët e saj se do të rrisë çmimet e produkteve.
“Me keqardhje na duhet të iu njoftojmë që për shkak të ndërprerjeve të shpeshta e të gjata të energjisë elektrike, jemi të detyruar të i ngrisim çmimet e produkteve!”, thuhej në njoftimin e kompanisë, të publikuar më 16 gusht.
Pirro Piraj nga kjo kompani ka shfaqur paknaqësitë dhe vështirësitë që po ua shkaktojnë reduktimet.
KEDS kishte njoftuar se orari i reduktimeve do të ishte 6:2. Ai thotë se gjashtë orë pa rrymë në 24 orë, kompanisë së tij i kushtojnë 600 euro harxhime në derivate.
“Me qindra e mijëra Euro të investuara në gjenerator e detivate për rrymë, para këto që po ti investonim në pajisje e rroga, sot do të kishim qenë shumë më mirë e më lartë!”, ka shkruar ai.
Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi, ka përshkruar nisjen e ditës së sotme pa rrymë dhe nën zhurmën e gjeneratorëve.
“Fillojmë ditën mbarë, me sukseset e rradhës: Reduktime të rrymes dhe zhurmë e gjeneratorëve. Punën e fillojmë në ora 10:00, deri atëhere kafe, llafe!”, ka shkruar ai në Facebook.
Analisti Imer Mushkolaj ka ironizuar me Qeverinë, dje, derisa po zhvilloheshin bisedimet në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuciq.
“Deshta me e pa Albinin çka po thotë n’Bruksel, po nuk pata rrymë. Bravo Qeveria Kurti”, ka shkruar ai në Facebook.