Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka përmendur vërejtët e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Gjatë debatit parlamentar për këtë çështje, ai ka thënë se gjetjet e këtij raporti janë shqetësuese.
“Çka mund të thuhet për perspektivën europiane të Kosovës. Derisa shtetet e regjionit, shtetet e ish-bllokut të Lindjes kanë avancuar në këto procese, Kosova përmendet vetëm se ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe asnjë fjalë tjetër nuk thuhet për këtë çështje. Kjo është shqetësuese dhe realisht është një sinjal se sa janë të interesuara shtetet e BE-së për ta mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Në adresimin e tij para deputetëve, ai ka thënë se në raport theksohet mungesa e komunikimit të mazhorancës me opozitën.
“Në raport theksohet se ka munguar komunikimi i mazhorancës me opozitën. Sa i përket politikes së jashtme një gjë e vetme pozitive përmendet që Kosova ka aplikuar në Këshill, asnjë fjalë e mirë tjetër për Kosovën nuk është shkruar e kjo me të vërtetë është shqetësuese”, ka thënë ai.