Site icon PrishtinaPress

Reçica: Delegacioni i Kosovës unik dhe shumë aktiv

Një delegacioni i Kuvendit të Kosovës i përbërë nga: nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini dhe anëtari i Komisionit për Stabilizim Asocim, Visar Ymeri kanë marrë pjesë në konferencën ndërparlamentare të organizuar nga Parlamenti Evropian me temë: “Autoritetet Lokale dhe Rajonale në Rajonin e Vendeve në Zgjerim dhe Politika Rajonale e BE-së”.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica ka thënë se delegacioni i Kosovës ka qenë unik sa i përket integrimeve evropiane.

“Mendoj që delegacioni i Parlamentit të Kosovës, edhe sipas vlerësimeve të organizatorëve dhe të vëzhguesve, ka qenë aktiv, një nga më aktivët dhe çka është më e rëndësishmja ka qenë unik. Ne kemi pasur një qëndrim të përbashkët sa i përket procesit të integrimeve, kemi diskutuar të gjithë dhe argumentet tona janë akceptuar”, ka deklaruar Reçica, raporton “Zeri.info”.

Ai më tej ka thënë se gjatë qëndrimit në Bruksel, delegacioni kosovarë ka qenë shumë aktiv duke lobuar për mbështetjen e Kosovës në proceset integruese.

“Kam pas takim me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të  Belgjikës, kemi pas edhe një darkë me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Gjithashtu kemi takuar edhe shumë deputetë me të cilët kemi biseduar dhe kemi lobuar për mbështetjen e Kosovës, jo vetëm në procesin e liberalizimit të vizave, por në të gjitha proceset integruese”, ka shtuar Reçica.

Në fund, ai ka thënë se në këtë konferencë dy ditore janë diskutuar shumë çështje që kanë të bëjnë me integrimin në Bashkimin Evropian dhe sidomos me programet e IPA-së, programet mbështetëse dhe zhvillimore.

Exit mobile version