Site icon PrishtinaPress

Reçica apel deputetëve: Ejani nesër në seancë ta votoni ratifikimin e dy marrëveshjeve për sigurime sociale

Të drejtat e qytetarëve tanë që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin në shtete të ndryshme, më në fund po sheh dritën e zbatimit. Në shkurt të këtij viti është nënshkruar marrëveshja e parë ndërkombëtare në fushën e sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Belgjikës ndërkaq po këtë vit, në qershor, është nënshkruar edhe një marrëveshje e ngjashme mes Kosovës dhe Zvicrës. Të dyja këto marrëveshje ishin nënshkruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Ndërkaq, ratifikimi i këtyre dy marrëveshjeve është vënë nesër në rend dite në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Në një intervistë për Indeksonline, ministri Skender Reçica ka treguar se çfarë do të përfitojnë qytetarët tanë nga këto dy marrëveshje si dhe u ka bërë thirrje deputetëve që nesër të jenë të pranishëm në seancë, për t’i dhënë dritën jeshile ratifikimit të këtyre dy marrëveshjeve.

“Pas një kohe të gjatë, më në fund mundi dhe djersa e qytetarëve tanë dhënë jashtë vendit po nis të shpërblehet. Këto dy marrëveshje do t’i quaja si marrëveshje historike ngaqë më në fund do të kemi realizimin e të drejtave të qytetarëve sa i përket pensioneve kontributive të moshës, familjare dhe atyre invalidore të punës”, ka thënë kreu i MPMS-së.

Reçica tha se është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e vendit që këto marrëveshje nesër i kemi në Kuvend për ratifikim dhe u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të jenë të pranishëm në seancë.

“Ka qenë shqetësim jo vetëm i imi, por i të gjithë qytetarëve dhe i vetë deputetëve që qytetarët tanë nuk po mund të realizojnë të drejtat e tyre në mungesë të këtyre marrëveshjeve. Personalisht disa herë edhe jam pyetur në parlament rreth kësaj çështje sidomos rreth marrëveshjes me Zvicrën kur dimë se e njëjta ishte ndërprerë në vitin 2010 dhe nga atëherë nuk kemi pasur marrëveshje në këtë fushë. Nesër deputetët e kanë mundësinë që ti hapin rrugën realizimit të të drejtave të qytetarëve tanë në fushën e sigurimeve sociale”, ka thënë ministri.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të jenë nesër të pranishëm në seancë dhe të votojnë këto dy marrëveshje të rëndësishme ngaqë çdo vonim i procesit do të ishte në dëm të qytetarëve.

Reçica ka treguar gjithashtu se janë në rrugë të mbarë për të lidhur marrëveshje të ngjashme edhe me shtete tjera kur tashmë janë miratuar edhe në Qeveri një sërë nismash për lidhje të marrëveshjeve për sigurime sociale si me Kroacinë, Holandën, Shqipërinë e shtete tjera.

Exit mobile version