Real Madrid ka fituar Ligën e Kampionëve për herë të 14-të në historinë e lavdishme të klubit dhe kompeticionit më të rëndësishëm në botë për klube.
Mbretërit në finale kanë mposhtur Liverpoolin me rezultat minimal 1-0 në një ndeshje që me lojë u dominua nga anglezët.
Ndeshja më e rëndësishme e vitit në Evropë filloi me gjysmë ore vonesë për shkak të problemeve në hyrje të stadiumit me tifozët e Liverpoolit.
Me të filluar ndeshja, Liverpooli u tregua më e rrezikshme por që nuk arriti të gjejë golin përkundër shumë gjuajtjeve në portë.
Reali shënoi në fund të pjesës së parë por që goli u anulua për pozicion jashtë loje të Benzemas. Ky rast u komentua shumë pasi që kishte dyshime rreth lojtarit që ia pasoi topin francezit.
Reali golin e rregullt e gjeti në minutën e 59-të me anë të Vinicius pas një asistimi nga krahu të Valverdes.
Liverpooli vazhdoi të kërkoj golin e barazimit që nuk e gjeti në asnjë mënyrë.
Më meritori për këtë triumf të Realit ishte padyshim portieri Courtois që bëri disa pritje të jashtëzakonshme.
Me këtë triumf, Reali është dukshëm skuadra më e mirë në Evropë me 14 tituj, e ndjekur nga Milani me 7 derisa Liverpooli dhe Bayerni kanë nga gjashtë.