Me gjithë mungesat e shumta, skuadra e Real Madridit llogaritet favorite përballë Sevillas në ndeshjen e Superkupës së Evropës. Kjo ndeshje do të zhvillohet të martën (sot) mbrëma në Trondheim të Norvegjisë (20:45).
Real Madridi është fitues i Ligës së Kampionëve për edicionin 2015/16, ndërsa Sevilla në të njëjtin edicion triumfoi në Ligën e Evropës, përcjell Koha Ditore. Trajneri i Realit, Zinedine Zidane do të ketë mungesa të shumta për këtë ndeshje.
Ai në listën e lojtarëve nuk ka përfshirë katër yje të skuadrës: Cristiano Ronaldo, Gareth Bale, Toni Kroos e Pepe. Sulmuesi francez Karim Benzema edhe pse është i dyshimtë për shkak të lëndimit, është inkuadruar në skuadër nga Zidane, i cili ka përfshirë edhe të birin e tij, portierin 18-vjeçar, Luca.
Sevilla gjatë kësaj vere ka bërë hiq më pak se dhjetë përforcime, përfshirë këtu edhe trajnerin Jorge Sampaoli që ka zëvendësuar Unai Emeryn që mori drejtimin e PSG-së.