Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës Pal Lekaj, ka reaguar pas shkrimeve të publikuara sot në media, përkitazi me vendimin për ndalim të qarkullimit rrugor në segmentin Kaçanik-Hani i Elezit.
“Qytetarë të Kaçanikut e të Kosovës,
E kam theksuar e po e ritheksoi përseri, vendimi që të ndalohet lëvizja në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit nuk është marrë për teke përsonale, por pasë vlerësimeve të ekspertëve se çdo ditë e më shumë përbën rrezik dhe rrjedhimisht duhet të veprohet që të ruhet jeta e qytetarëve e më së shumti e njerëzve të Kaçanikut, të Elezi Hanit e pastaj për të gjithë të tjerët që e frekuentojnë atë segment.
Ju them me përgjegjësi të plotë se çdo ditë po punohet që të bëhet zgjidhje e shpejtë dhe rruga të rikthehet në funksion. Por poashtu nuk guxojmë të lejojmë që gjërat të bëhen vetëm sa për të thënë, çdo ngutje nënkupton diçka tjetër, e mund të përsëritet ajo që ka ngjarë thuajse në çdo vit, sepse asnjëherë nuk është zgjidhur që sa vite ashtu siç duhet, e për tu sanuar problemi (rreziku) njëherë e përgjithmonë.
Të gjithë duhet të kontribuojmë që çështja, e “bllokimit” të aksit rrugorë që na lidhë me Maqedoninë, të marrë zgjidhjen e duhur e jo të bëjmë thirrje “demagogjike – linçuese”, siç patëm rastin të lexojmë së fundmi.
Çdo herë që janë kërkuar takime e sqarime, jo vetëm për ketë rast, por për çdo problematikë, prej kur e kemi marrë mandatin, kemi tentuar të jemi me të gjithë bashkë, për t’iu mundësuar zgjidhjet dhe njëjtë kemi vepruar edhe më nevojën për rrugët alternativë të Kaçanikut. Të dielën që shkoi (13 maj 2018) ekipet tona kanë qenë në terren bashkë me udhëheqjen e Komunës së Kaçanikut, ku është përcaktuar lokacioni i rikonstruktimit të rrugës për qarkullim të përkohshëm, prandaj nuk i kuptojë “zhurmat” sa për lajme.
Kemi qenë në kontakt e vazhdojmë të jemi dhe të kemi gjithë mbështetjen e kryeministrit Haradinaj që nga fillimi për ketë çështje sikur për gjithë zhvillimet tjera. Por poashtu nuk mundem pa e përmend, sepse ne jemi realista dhe nuk bëjmë politikë por merremi seriozisht me temat, nuk e kemi “shkopin magjik”, për të zgjidhur të gjithë problemet (të gjitha të trashëguara) brenda ditës.
Duke ju dhënë gjithë garancitë se nuk jemi ndalë e nuk do të ndalemi për të zgjidhur problemin në fjalë, ju njoftojë se këtë të enjte, fillojnë punimet në rrugën lokale (e cila është në përgjegjësi të mirëmbajtjes nga Komuna e Kaçanikut) Kotlinë – Ivajë, me gjatësi prej rreth 2 kilometrave, dhe kështu do të zgjidhet problemi për qarkullimin e përkohshëm të këtyre fshatrave”, ka reaguar ministri Pal Lekaj.
Ndryshe, duhet cekur se reagimi i ministrit Lekaj vije pasi nënkryetari i Kaçanikut, Ylber Bajra përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga ky i fundit të merren masa për zhbllokimin e aksit rrugor Kaçanik-Hani i Elezit.