Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi 36 persona vdiqën nga COVID-i në 24 orët e fundit, duke thënë se është një tragjedi kombëtare.
Ai i bën thirrje Qeverisë Kurti të dalin në krye të përgjegjësisë, ndërsa i jep 8 rekomandime si të përballohet situata.
Postimi i tij:
Pa fjalë. Është tragjedi kombëtare kjo. Bashkëndjejmë me 36 familjet kosovare sot e me qindra të tjera që humbën të afërmit këto ditë. Jemi të gjithë në zi.
Fatkeqësisht, ka javë të tëra që po ngrisim zërin për rritjen eksponenciale të t’prekurve në pandemi; pa ndonjë reagim thelbësor të Qeverisë. Abstenimi i shtetit përfundon në tragjedi.
Prandaj, i bëj thirrje pushtetarëve të Qeverisë të dalin në krye të përgjegjësisë. Të sillen si shtet. Për këtë u japim dhe 8 rekomandimet të ekspertëve tanë të shëndetësisë, rekomandime që duhen të implementohen menjëherë dhe pa vonesë:
1. Të shtohen ditët e vaksinimit në shtatë; vikendeve s’mund të pushohet më. Në këtë gjendje alarmante pushimi i shtetit është i pakuptimtë.
2. Të hapen qendrat mobile të vaksinimit nëpër secilën komunë nëpër Kosovë. Të shpërndahen vaksinat tek qytetarët tanë e të thjeshtohet i gjithë procesi vaksinues.
3. Të shtrëngohen masat për të pavaksinuarit e të lehtësohen për secilin tjetër që përfundon këtë proces të domosdoshëm e jetik.
4. Të rritet numri i stafit shëndetësor në Kosovë; në mënyrë që të ndihmohen kapacitetet e ngarkuara që i kemi sot.
5. Të vendosen të gjithë inspektorët në terren, të mbahet rregull në secilin vend. Rregullat e vendosura në letër e pa mbikqyrje mbesin vetëm fjalë.
6. Të jepen shtesat financiare për stafin aktual; të ndahet menjëherë buxhet dinjitoz dhe jo lëmoshë! Stafi shëndetësorë ka nevojë; janë të dërrmuar me mbi 18 muaj angazhim.
7. Të shtohen shtretërit për të hospitalizuar qytetarët tanë; Klinika Infektive është mbi çdo kapacitet normal.
8. Qeveria të merret vetëm me pandemi dhe me urgjencë. Të tregojë lidership e të shpëtojë jetë.