U shkrua nga mediat serbe e ato të vendit, se kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në Nishë, në një forum biznesor, ku do të merrnin pjesë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Se do të ketë një forum ekonomik biznesor shqiptar-serb, e ka konfirmuar edhe vetë Kryeministri Edi Rama për Klan Kosovën.
“Ky forum biznesor që do të organizohet në Nish të Serbisë, sipas kryeministrit Rama ka kohë që po planifikohet dhe si pikënisje ka pasur bashkëpunimin për eliminimin e barrierave tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë”.
Ne jemi takuar si çdo vit tanimë në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor, dhe unë kam prezantuar me shumë krenari produktin fillestar të një pune të përbashkët, që e ka pasur zanafillën tek bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës për reduktimin e barrierave tregtare”.
Ai thotë se gjithçka ka nisur pas një bisede me Drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore Ellen Goldstein dhe me kryeministrin Aleksandar Vuçiç.
“Duke pare rezultatet shume inkurajuese të këtij bashkëpunimi, kam folur me drejtoren rajonale të Bankës Botërore, Ellen Goldstein, dhe po ashtu me kryeministrin Vuçiç e me të tjerët, për të ndërtuar një plan veprimi për nxitjen e tregtisë e të bashkëpunimit ekonomik në rajon. Kështu kemi bëre! Banka Botërore e ka koordinuar ketë punë përmes zyrave të veta në rajon dhe na ka asistuar me ekspertizën e saj”, deklaroi Rama në një intervistë për Klan Kosova.
“Në Nish, ky plan do të prezantohet në një forum ekonomik biznesi shqiptaro-serb. Kjo është e gjitha. Nuk e kam ndërmjetësuar pjesëmarrjen e niveleve të larta të qeverisë së Kosovës në këtë takim dhe as s’më është kërkuar dhe as s’e kam kërkuar një gjë të tillë”, është deklaruar Rama.
Rama thotë se asnjëherë nuk ka bërë ndasi me Kosovën, mirëpo as nuk përzihet në punët e Kosovës me palët e treta.
“Nuk e ndaj asnjëherë Kosovën nga agjendat e bisedimeve të mia dhe nuk i shoh asnjëherë të ndara interesat strategjike të shqiptarëve të Shqipërisë e të Kosovës, por po ashtu, asnjëherë nuk hyj në punët e në vendimet që i takojnë Qeverisë së Kosovës ne raport me palët e treta! Në rast se më kërkojnë një mendim vëllazëror e jap me kënaqësi, por kurrë ndërhyrje, sepse s’e kam pare asnjëherë si diçka pozitive sjelljen e dikurshme paternaliste të Tiranës ndaj Prishtinës”.
Në forumin e Nishit do të flitet për të ardhmen e rajonit dhe për mundësitë e kooperimit në fushën e ekonomisë e tregtisë, e po ashtu edhe për ndërmarrjen e masave që do ta lehtësonin të bërit ekonomi në mes të dyja vendeve.
“Do te flasim për të ardhmen e përbashkët të rajonit dhe potencialet e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ekonomik e tregtar në të mirë të sipërmarrjeve e të popujve tanë. Një sërë masash që do të lehtësojnë shumë shkëmbimet tregtare dhe ekonomike e do të rrisin ekonominë e vendeve tona”.
Edi Rama, pas publikimit të lajmit në mediat serbe se Vuçiç e Rama do të takohen gjë që nxiti reagime në Prishtinë, u shpreh se i duket diçka qesharake.
Më ka ardhur keq që një gazetë nga Beogradi ka çoroditur kursin mediatik në Prishtine! Qesharake! Si duket sëmundja e vjetër e gushtit mediatik të Tiranës e ka kaplue edhe Prishtinën”.