Site icon PrishtinaPress

Reagon DokuFest:Koncerti i artistes “Peaches” ishte i kufizuar për të mitur

Festivali i filmit të shkurtër dhe dokumentar “Doku Fest” nëpërmjet një reagimi ka komentuar ngjarjet e fundit të linçimit të festivalit pas performancës së “Peaches” në mbrëmjet “Doku Nights”.

Duke e quajtur veten fener për të drejtat e njeriut, festivali me nam botëror ka dhënë shpjegime për mënyrën e mbajtjes së këtij koncerti.

“Dëshirojmë të vendosim gjërat drejt në lidhje me koncertin e artistes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, ‘Peaches’. Koncerti në fjalë u zhvillua brenda një zone të rrethuar mirë, e kufizuar rreptësisht për të pranishmit 18 vjeç e mbi, vetëm me bileta të blera”, kanë shkruar ata.

Në anën tjetër, ata kanë theksuar se kanë dyshime që ka përpjekje për të minuar misionin e festivalit për adresimin e të drejtave të njeriut përmes artit e kulturës.

“Akuzat e pabaza ndaj festivalit tonë, fatkeqësisht kanë bërë jehonë në media, përfshirë ato ndërkombëtare, duke paraqitur një pamje të padëshiruar që keqinterpreton vlerat progresive dhe demokratike të shoqërisë sonë. Është thellësisht shqetësues fakti që retorika nxitëse nga disa figura publike ka eskaluar në dhunë gjatë protestës, siç u pa në rastin e gazetarit të mediumit Nacionale, Vullnet Krasniqi. Kërkojmë nga autoritetet që të sigurojnë që autorët e këtyre akteve të urrejtjes të sillen para drejtësisë”, kanë reaguar nga “Doku Fest”.

Exit mobile version