Site icon PrishtinaPress

Reagojnë gazetarët: Kërkesa e Ambasadës Turke për Buzhalën, akt skandaloz

Pas lajmit të publikuar nga agjencia Britanike Reuters se më 20 korrik, ambasada turke në Prishtinë i dërgoi një letër ministrisë së Jashtme të Kosovës, duke i bërë thirrje që të ndërmerr veprim për komentet e gazetarëve, duke cituar dhe analistin e njohur Berat Buzhalan kanë reaguar menjëherë gazetarë dhe analistë të njohur në vend. shkruan Express.
Duke e vlerësuar si një veprim skandaloz Kryeredaktorja e gazetës Zeri Arbana Xharra ka shkruar në Facebook: ” Kjo jo vetëm qe kalon krejt normat e përcaktuara diplomatike te funksionimit te një ambasade…kjo eshte norma e autokracise qe provon me implementu zyra e diktatorit Erdogan ne shtetin qe e konsideron vilajet te vetin.”
Ndërsa Redaktori i Gazetës Fjala Zekirja Shabani në një prononcim për Express tha “Kërkesa e Qeverisë turke për burgosjen e gazetarëve në Kosovë është absurde dhe shembulli më i keq i demokracisë së programuar nga presidenti Erdogan. Do të ishte edhe më skandaloze, nëse institucionet tona, në emër të “vëllazërisë” së ndërsjellë, të shprehur deri më tani, të zbatonin një urdhër nga “vëllau” në Ankara. Mbytja e demokracisë fillon me kufizimin e lirisë së shprehjes, e cila ka kohë që ndodhë në Turqi, por nuk guxon të përcillet edhe në Kosovë.”
Shabani më tej në fjalën e tij theksoi që gazetarë të shumtë janë persekutuar e burgosur dhe shumë medie janë mbyllur me kërkesë të presidentit Erdogan, në emër të demokracisë e në dëm të qytetarisë e lirive themelore të njeriut në Turqi.
Ai i bëri thirrje dhe Qeverisë së Kosovës se duhet të punojë që të përmirësojë lirinë e medias në vend dhe të mos marrë urdhra nga askush për persekutimin e gazetarëve.
Shabani në fund të fjalës nënvizoi që në Kosovë gazetarët punojnë në kushte të rënda dhe në kërcënime të vazhdueshme nga biznesi e politika.

Exit mobile version