Ditë më parë Këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës ka shkarkuar nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahitin, ndërkaq ka emëruar ushtruese të detyrës, Luljeta Plakolli – Kasumi.
Shkarkimi i rektorit Sahiti dhe emërimit të znj. Plakolli-Kasumi si U.D. shkaktoi debate dhe reagime të shumta.
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka realizuar një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Gjatë këtij aksioni u tha se për Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, himni fillon: Rreth plagjiaturës të përbashkuar!
Koordinatori i aktivitetit, Dibran Hoxha tha se shkarkimi i rektorit, Naser Sahiri është bërë pa asnjë justifikim të qëndrueshëm. Derisa shtoi se shkarkimi i tij ishte nga marrëveshja mes Këshillit Drejtues të UP-së me përfaqësuesit nga Ministria e Arsimit.
E për ushtruesen e detyrës së rektorit, Luljeta Pllakoli ka folur mbrëmë edhe profesori Enver Hasani.
Sipas tij, tema e doktoratës së Plakollit nuk është “as punim seminarik”.
“Për fat të keq, kam qenë kryetar i komisionit të saj për doktoratë para një viti e gjysmë. Mas tri katër herë, se u lodha, se problem është 3-4 me kontrollu një doktoratë dhe mos me t’i marrë parasysh. Një herë e dy me kolegë, dikur u dorëzova dhe me kërkesën dhe lutjen e dekanit ne e lëshuam me kërkesën që në dosje me pasë një temë tjetër sipas vërejtjeve… Bile unë i thashë ky as punim seminarik nuk është, jo për doktoraturë… Tmerr. Unë jam në universitet prej 87-s, kam pasë rast me ndihmu dhe monitoru në çdo nivel. Pas kërkesës së dekanit, kam besu që do të bëhet një frymë më ndryshe, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta para 3-4 muajsh thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë më thirrin, më thojnë po don me ma hjek lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës. Kjo më çoi mu me këqyrë profilin psikologjik… E këqyra doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind është plagjiat brutal, e disa autorëve shqiptarë”, tha Hasani në Pressing të T7.
E pas kësaj ka reaguar sot ushtruesja e detyrës së rektores, Luljeta Pllakoli Kasumi.
“Mbrëmë Enver Hasani në emisionin Pressing, në mes tjerash, ka deklaruar se tema ime e disertacionit është plagjiaturë. Më lejoni të theksoj me gjithë përgjegjësinë time morale, akademike dhe njerëzore që disertacioni im i doktoraturës është vepër e pastër intelektuale e imja; atë e kam produkt të punës sime shumë-vjeçare. I qëndroj mbrapa çdo shkronje që kam shkruar dhe jam e gatshme të përballem me çfarëdo vlerësimi mbi të.
Për ta orientuar drejt debatin, jam në përgatitje e sipër të një shkrese për Këshillin e Etikës që të themelojë një komision profesional me profesorë eminent për të vlerësuar kualitetin dhe qëndrueshmërinë e tezave të disertacionit tim të doktoraturës. Pres që një komision i tillë shumë shpejtë të themelohet dhe ta kryejë këtë detyrë.
Në ndërkohë, ne me avokatin tim jemi në diskutime për mundësitë e mia ligjore të mbrojtjes së dinjitetit tim profesional dhe njerëzor”, shkruan ajo.
E lidhur me këtë deklaratë të Hasanit ka reaguar sot edhe Rrjeti i Grave të Kosovës dhe vet ushtruesja e detyrës së rektores.
“Debati i mbrëmshëm i nxitur nga Enver Hasani i orientuar kryesisht kundër figurës personale të një gruaje profesoreshë të Universitetit të Prishtinës (UP) znj. Luljeta Plakolli Kasumi, e cila do të ushtrojë funksionin e ushtrueses së detyrës, është shembull i një qasjeje mizogjene dhe bulliste ndaj gruas si udhëheqëse në Kosovë.
Rrjeti i Grave të Kosovës nuk synon të ndërhyjë në zhvillimet që po ndodhin në UP por nuk mund të qëndrojë në heshtje kur debatet kthehen në fyerje mizogjene dhe shantazhe të ulëta që rëndojnë mbi znj. Plakolli Kasumi vetëm sepse ajo është grua”, thuhet në reagimin e RrGGK-së.
Sipas Rrjetit të Grave tendenca të tilla krijojnë përshtypjen që Kosova ende jeton nën pushtetin e një grushti burrash që kanë ‘autoritet’ të rrënojnë emrin e çdo gruaje që merr guximin të ushtrojë pozita të larta vendimmarrëse.
“Rrjeti dënon fuqishëm gjuhën denigruese dhe shantazhuese ndaj znj Luljeta Plakolli Kasumi dhe çdo gruaje tjetër. Fyerjet e shpifjet e Enver Hasanit duhen refuzuar si tendenca për vazhdimin e mentalitetit abuzues e urrejtës ndaj grave që ka mbijetuar në Universitetin e Prishtinës me dekada të tëra. Mposht një grua, që të mposhtesh dhe të tjerat në të ardhmen, është matra që nuk do të lejojmë më të mbijetojë në Kosovë”, thuhet në reagim.